Screenshot

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ka cilësuar si të veçantë vizitën e saj në Shkodër, në kuadër të festave të nëntorit.

Pas përfundimit të takimit me kryebashkiakun Benet Beci, Osmani në një deklaratë për mediat ka kujtuar të mirat që qytetarët e Shkodrës i kanë ofruar qytetarëve të Kosovës gjatë periudhës së luftës, 1998-1999.

Më tej, Osmani ka thënë se 28-29 nëntori nuk janë vetëm festa e Pavarësisë dhe Çlirimit të Shqipërisë, por edhe formimi i ushtrisë së Kosovës dhe ditëlindja e komandantit Adem Jashari.

Në agjendën e takimeve, Osmani bëri me dije se ditën e nesërme, 28 nëntor, do të jetë e pranishme në Vlorë dhe në Tiranë.

“Secila vizitë në Shkodër është e veçantë. Është kënaqësi të rikthehem. Është një qytet që ka dhënë shumë për shqiptarinë dhe lidhjet me Kosovën kanë qenë të afërta. Shkodra vërtet e ka ndihmuar Kosovën në momente të vështira 1998-1999. Shumë nga qytetarë të Gjakovës kanë qëndruar këtu dhe qytetarët e Shkodrës kanë mbajtur zemrat dhe shtëpitë të hapura. Shkodra ka qenë me ne edhe në rindërtimin tonë. Në prag të festës së flamurit gjendemi në Shkodër dhe është një moment i bukur për ne. Është një festë e 4-fishtë, dita e pavarësisë, ditëlindja e komandantit Adem Jashari dhe dalja e parë e ushtrisë së Kosovës.

Nesër do të jem edhe në Vlorë dhe Tiranë për të festuar”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës u pyet nga mediat edhe për situatën politike në Kosovë, për të cilën tha: “Festat e nëntorit janë të veccanta pavarësisht ngjarjeve politike. Zgjedhjet janë normale në një demokraci. Besoj edhe ky proces zgjedhor do shkojë mirë. Menjëherë pas zgjedhjeve do kemi konstituim të Kuvendit dhe presim qeverinë e re për të miratuar ligjet për qytetarët”./

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu