Bashkatdhetarët që kthehen në atdhe për të kaluar festat e fundvitit me familjet e tyre, apo turistët që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e tyre dimëror, i pret në Aeroportin Nderkombëtar të Rinasit një kartolinë mirëseardhjeje, pasuri e UNESCO-s.
Në monitorët e mëdhenj jashtë e brenda aeroportit shfaqet K’cimi i Tropojës, i cili krijon edhe një atmosferë shumë festive.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale “pamje të mirëseardhjes në tokën shqiptare që t’pret e t’përcjell me K’cimin e Tropojës, një pasuri që i përket gjithë botës tashmë”.
“K’cimi i Tropojës” është shpallur zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO këtë dhjetor.
“K’cimi i Tropojës” është një tjetër element unik shqiptar që prezantohet për këtë listë, i cili promovon pasurinë kulturore shqiptare në skenën ndërkombëtare.
“K’cimi i Tropojës”, i njohur gjithashtu si “K’cim Veni”, është një vallëzim festiv që ka ruajtur vitalitetin e tij ndër shekuj. Ai përfshin elementë të artit performues, traditave gojore, ritualeve dhe ngjarjeve festive.
Përgjatë viteve, kjo traditë ka mbetur një simbol i identitetit dhe bashkimit për banorët e Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës.
Vallëzimi interpretohet në raste të ndryshme ceremoniale dhe shoqërore, si dasma, fejesa dhe festa lokale.
Lëvizjet e tij ritmike, të shoqëruara me tupan, çifteli dhe fyell, simbolizojnë energjinë dhe gëzimin që karakterizojnë këtë komunitet.
Performancat shpesh përfshijnë veshje tradicionale dhe shami të kuqe ose të verdhë, duke ruajtur kështu autenticitetin e elementit.
Formulari i kandidimit të dukurisë së Kcimit të Tropojës për “Representative List of Intangible Cultural Heritage of Humanity” u dorëzua në mars 2021.