Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka marrë masa disiplinore ndaj disa ish-drejtuesve të Policisë së Lezhës, pas konstatimit të shkeljeve gjatë ushtrimit të detyrës. Sipas të dhënave zyrtare, janë përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit ish-zëvendësdrejtori për Rendin në Policinë e Lezhës, Taulant Gjoka, si dhe ish-shefi i Komisariatit, Oltion Gjoni.
Ndërkohë, për ish-drejtorin e Policisë së Lezhës, Altin Mena, i cili aktualisht mban mban detyrën e zv/drejtorit për Rendin në Policinë e Kukësit është vendosur masë disiplinore “ulje në gradë” për një periudhë 5-vjeçare.Po ashtu, për zv/drejtorin për Krimet, Kujtim Gjoka, është vendosur shtyrje e afatit të gradimit. Sipas arsyetimit të Drejtorisë së Standardeve Profesionale, gjatë periudhës së drejtimit të Policisë së Lezhës nga këta drejtues, në qendër të qytetit funksiononte prej kohësh një kazino trekatëshe me mbi 20 makineta dhe sallë pokeri, ku gjatë ndërhyrjes u sekuestrua edhe lëndë narkotike e dyshuar si kokainë.
Po ashtu një magazinë e përshtatur për kultivimin e kanabisit funksiononte që prej muajit gusht të vitit që lamë pas në rrugën nacionale Lezhë-Milot, ku gjatë operacionit u sekuestruan mbi 1 mijë bimë kanabis.
Burime nga Drejtoria e Standardeve bëjnë me dije se pritet që edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) të nisë hetim ndaj ish-drejtuesve të Policisë së Lezhës.
Zbulimi dhe goditja e grupit që kultivonte kanabisin në magazinë u realizua vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës si drejtor i Policisë së Lezhës nga Islor Islami, ndërsa me herët ishte zbuluar edhe kazinoja që operonte në qendër të qytetit.






