Rrugët e qytetit të Shkodrës janë pushtuar nga ngjyrat e festës dhe mijëra qytetarë me maska veneciane dhe kostume shumëngjyrëshe. Karnavalet, kjo festë e famshme në të gjithë botën, i ka dhënë ngjyra qytetit të Shkodrës duke sjellë për tre ditë me radhë një atmosferë magjike. Festimet mbyllen këtë të dielë nga një spektakël me karvanin e karnavaleve që përshkoi rrugët e kryeqendrës së veriut. Qytetarët e veshur me kostume shumëngjyrëshe e maska parakaluan në rrugët e qytetit duke dhënë një panoramë mbresëlënëse si në shumë qytete europaine ku festohen karnavalet. Festimeve iu bashkua edhe kryeministri Edi Rama me familjen e tij. Të gjithë të mahnitur nga festa, të ardhur nga qytete të Shqipërisë, nga Kosova, Mali i Zi, apo edhe turistë nga e gjithë bota.

“Vijmë nga Tuzi. Tema jonë është zotat grekë.

Ftesa erdhi nga Këshilli i Karnavaleve të Shkodrës. Është një qytetet më të bukura dhe më të dashura edhe për ne nga Tuzi”, thanë të rinj nga Tuzi.

Vullnetarët thanë se dhjetëra të rinj janë angazhuar në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.

“Sa dëgjuam fjalën që u përhap në qytet që do kishte një festë të madhe të karnavaleve, ne menduam që nuk do mungonte rinia. Ashtu ndodhi aktivizimi rinor është maksima, dëshira është maksimale për të punuar dhe besoj se kjo e ka bërë këtë festë kaq madhështore. Janë shumë të rinj, përfshirë edhe shkollat”, tha një e re.

Ndërsa të tjerë pohojnë se kjo festë ka nxitur turizmin kulturor.

“Këtë vit kemi dashur me përcjellim një mesazh me mbajt ambientin pastër, me sensibilizuar qytetarët e Shkodrës. Shumë perfekt organizmi. Janë karnavalet që unë do i mbaj mend gjithmonë.

Të huaj ishin të pranishëm për të shijuar magjinë e karnavaleve.

“Ne jetojmë në Tiranë. Ngjan shumë bukur, kostumet ishin të mrekullueshme.

Unë jam nga Kanadaja, por jetoj në Tiranë. Erdhëm në Shkodër për paradën e karnavaleve. Më pëlqen, është diçka e re”, thonë ata.

Tradita e karnavaleve në Shkodër daton që në vitin 1861, ndërkohë që zbukurimet me një dekor shumëngjyrësh kanë përfshirë gjithë qytetin. Padyshim që kjo është një nga festat që nuk njeh moshë e as gjini, por atmosfera festive i ka mbledhur të gjithë në Shkodër për të shijuar magjinë e maskave dhe kostumeve me personazhe.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu