Zbardhen dy raste të vjedhjes së automjeteve në fshatin Selcë, ndërsa një 22-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë pasi u kap në flagrancë duke drejtuar një automjet që dyshohet se e kishte vjedhur dy ditë më parë. Sipas burimeve zyrtare, në kuadër të punës intensive hetimore për parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe arrestuan shtetasin Migen Gjelaj, 22 vjeç, banues në fshatin Zagorë.
I riu u kap gjatë kontrollit policor duke drejtuar një automjet tip “Volkswagen”, i cili dyshohet se ishte vjedhur më 15 mars 2026 në fshatin Selcë. Nga hetimet paraprake rezulton se ai dyshohet të jetë autor edhe i një vjedhjeje tjetër automjeti, të ndodhur më 3 gusht 2025, po në këtë fshat. Ky automjet u gjet i parkuar pranë banesës së tij.
Në vijim të operacionit, në pranga janë vënë edhe dy shtetas të tjerë, Bedri Gjelaj., 39 vjeç, dhe Elvin Gjelaj, 35 vjeç (xhaxhallarët e 22-vjeçarit), pasi gjatë kontrollit në banesën e tyre u gjetën dhe u sekuestruan 2 armë gjahu pa leje dhe 1 kilogram e 150 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Policia bëri të mundur sekuestrimin e dy automjeteve të vjedhura, armëve të gjahut dhe lëndës narkotike, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të të arrestuarve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.





