Policia ka nisur në të gjithë vendin pastrimin e hapësirave publike nga mjetet vëzhguese të instaluara në mënyrë të paligjshme nga persona me precedent penal.

Fenomeni i shpërndarë në të gjithë vendin ka marrë përmasa shqetësuese.

Fatjon Softa, eksperti i sigurisë, i ftuar në Ora News thotë se kontrolli i territorit nuk mund të bëhet me fushata.

“Nëse kjo vjen nga lart, se erdhi një urdhër nga lart dhe bëjmë këto aksione, do jemi këtu…Nuk është fare e hijshme që një punonjës policie të hipë në shtyllë për të hequr kamerat”.

Më shumë sesa aparaturat në vetëvete, Softa thotë se problemi kryesor janë materialet që merren nga kamerat dhe kush i disponon ato.

“Shërbimet informative kanë rol bashkërendues me institucionet e tjera. Patjetër që janë disa informacione që duhet të vijnë nga ata. Dhe këtu mund të kishim një lloj informacioni. Informacioni më i mirë do të ishte nga ata që janë pronarë të shtyllave, në shtyllën e tyre kanë vendosur kamera, herë tjetër vendosen tabela. OSHEE i ka në pronësi dhe nuk duhet të lejojë vendosjen e asnjë mjeti në shtyllë.

Inspektorët e zonës të cilët duke parë kamerat duhet të mendojnë e kujt është kjo kamer, kujt i vlen, duhet të marrë kontakte me subjektin që i ka vendosur dhe të informojë. Edhe pemët i kanë përdorur për të vendosur kamera. Si kabllot e shtrira në qytete, është dhe rrjeti i kontrollit përmes kamerave. Por ne nuk duhet ti trembemi kontrollit të kamerave, është vetëm syri, problemi është te materialet që merren dhe përpunimi, kush i ka këto përpunime. Duhet parë legjislacioni lidhur me vendosjen e kamerave, regjistrimin dhe përpunimin e të dhënave”.

Për ekspertin e sigurisë, hetimet do duhet të evidentojnë nëse kemi të bëjmë me përdorim të kamerave vetëm për krimin apo edhe për llogari të shteteve jomiqësore me Shqipërinë.

“A mund të kontrollohet territori? Kontrolli i territorit do të thotë mjetet lëvizëse, aktivitetet e ndryshme, ekspozimet e këtyre personave e me radhë. Ky kontroll duhet të ishte bërë nga institucionet shtetërore. Meqenëse kjo nuk po ndodh po e bën krimi, atëherë është krimi që po fillon të bëjë kontrollin, kontrollon qytetarët, bizneset, shërbimet e policisë ku ndodhen dhe kundërshtarët e tyre.

Kjo është shumë e rrezikshme. Nëse këto kamera devijojnë dhe shkojnë në serverat jashtë dhe këto grupe kriminale punojnë dhe me grupe të tjera kriminale dhe pas tyre janë dhe armiqtë tanë, shtete jomiqësore, atëherë kjo është për tu hetuar dhe këtu duhet të hyjë dhe SHISH.Pra është diçka banale, është vetëm për botën e krimit apo ka edhe diçka tjetër që del përtej botës së krimit”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu