Këto që shihni në pamje janë dëmet e shkaktuara nga shpërthimi i fuqishëm i eksplozivit, në derën e agjencisë funerale në qytetin e Shkodrës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 03:20 të mëngjesit të sotëm në lagjen “Skënderbeg”, kurse subjekti rezulton se është në pronësi të Flora Firza.
Sipas policisë vendore, autorët, ende të paidentifikuar, kanë vendosur një sasi të vogël tritoli në derën hyrëse të agjencisë (pesha ende e papërcaktuar nga ekspertët), bazuar te hetime paraprake dhe këqyrja e vendngjarjes.
Dëmet janë në materiale dhe pamjet, tregojnë vatrën e shpërthimit, dera e shkatërruar plotësisht, çarja e dyshemesë me një gropë në mes, vendi i nxirë përreth nga gjurma shpërthyese e TNT-së dhe sende materiale të dëmtuara afër zonës së shpërthimit.
Për fat të mirë nuk ka të lënduar, pasi në momentin e shpërthimit në subjekt nuk ndodhej askush.
Policia ka nisur hetimet me verifikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë, pyetjen e pronares dhe dëshmitarëve, teksa pista kryesore mbetet konkurrenca në biznes, pa përjashtuar edhe hipotezat e tjera të mundshme kriminalistike. Hetimet janë ende aktive sipas policisë lokale.