Iu zaptuan pronat, Kisha Katolike u del në krah banorëve të Baks-Rrjollit, organizon “Udhën e Kryqit”

Në Rrjoll, ku prej 20 ditësh banorët protestojnë në mbrojtje të tokave të tyre – për të cilat thonë se po u grabiten nga botuesi dhe biznesmeni Bashkim Ulaj për të ndërtuar një resort – u zhvillua edhe “Udha e Kryqit”, riti tradicional i periudhës së Kreshmëve.

Në të njëjtën hapësirë ku prej ditësh dëgjohet zëri i protestës, sot u dëgjuan lutjet dhe hapat e “Udhës së Kryqit”. Banorët ecën me kryqin në krah, duke kujtuar sakrificën e Jezu Krishtit, por edhe duke lutur për familjen, jetën dhe të ardhmen e tyre.

“Burokracia e korruptuar bën sikur nuk e njeh më padrejtësinë. Vendimet vetëshkruhen tashmë nga ata që kanë para duke injoruar jetët e të tjerëve. Askush nuk mund t’i luftojë i vetëm gjigandët. Famullia dhë të gjithë vullnetmirët e saj mbështesin ata që rrezikojnë të humbasin gjithçka”,- tha një e re.

Mesazhe pati edhe nga drejtuesit e Kishës Katolike, të cilët shprehën mbështetje shpirtërore për komunitetin dhe apel për reflektim.

Dom Marjan Gega, famullitari i Velipojës, e kishte shumë të vështirë dje të mbante fjalimin përpara besimtarëve të Rrjollit, gjatë “Udhës së Kryqit”. Në një moment, ai e pati aq të vështirë sa edhe fjalët nuk i dolën.

“Ne nuk jemi as Kadastra, s’kemi as Polici, s’kemi as qeveri, nuk kemi asnjë pushtet tokësor. Edhe sikur ta kishim, nuk e duam, sepse janë të gjithë të korruptuar. Ne, si Kishë Katolike zyrtare, jemi përkrah banorëve të Rrjollit. Keni identitetin tuaj, por pas 300 vitesh ju thonë se këtu nuk është vendi juaj. E beson kush? Askush nuk e beson, prandaj Zoti na ndihmoftë me fitu të drejtën tonë”, tha Dom Marjani në mesazhin e tij.

“Edhe njëherë ne po shikojmë dhe përjetojmë një padrejtësi. Ata që kanë organizuar sot “Udhën e Kryqit” kanë menduar të meditojmë kryqin që kan ëmbajtur martirët. Duke dëgjuar dëshminë e tyre kemi parë dhe kemi kuptuar se martirët shqiptarë në kohën e tyre kanë pësuar një padrejtësi. Sot jemi këtu në këtë vend ku akoma edhe një herë përjetohet një padrejtësi”,- tha Giovanni Peragine, Arqipeshkëv i Shkodrës.

Latest articles

Related articles

spot_img
Enable Notifications OK No thanks