Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ka ndryshuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe ka konfirmuar në detyrë gjyqtaren e Shkodrës, Ermira Dedja.
Dedja u shkarkua me vendim të KPK-së, ku asaj iu vunë në dukje në sërë problemesh në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit, shkruan newspower.al.
Kujtojmë se Ermira Dedja e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punon prej gati tre dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Shkodër.
Njoftimi i KPA:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Natasha Mulaj anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 14/2022, datë 09.03.2022, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Ermira Dedja kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 496, datë 12.01.2022.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
· Ndryshimin e vendimit nr. 496, datë 12.01.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Ermira Dedja.
· Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall në Tiranë, sot, më datë 25.03.2025.