Operatori i Sistemit të Shpërndarjes parashikon që të ndërhyjë në rajonin e Shkodrës për përmirësimin e rrjetit, ku peshën më të madhe duket se do ta mbajë Velipoja.
Në dy procedura të çelura këtë të mërkurë në sistemin e prokurimeve, me një vlerë totale prej rreth 3.2 milionë euro, parashikohen investime në zhvillimin e linjës së tensionit të mesëm 20 kV.
Konkretisht, bëhet fjalë për procedurën me objekt kontratë: “Zhvillim i linjës TM 20 kV nga N/Stacioni Velipojë deri në kabinën Box 15/F5, mbikalimi i lagunës, kabinat 20 kV dhe rrjeti TU me përcjellës me vetëmbajtje ABC për fiderin F5, N/Stacioni Velipojë 110/20 kV” me vlerë 204 milionë lekë dhe procedurën “Sistemim i segmentit TM të fiderit ekzistues F15, si dhe ndërtimi i fiderit të ri 20 kV, F3, N/St 110/20/6 kV Shkodra 2” me vlerë 117 milionë lekë.
Lidhur me projektin e parë, zona Baks-Rrjoll, komuna Velipojë, do të furnizohet me tension 20 kV nga fideri nr. 5 i N/St Velipojë 110/35/20 kV. Gjatësia e këtij fideri është mbi 13 mijë metra linearë linjë kabllore, 700 metra linearë linjë e re ajrore dhe 880 metra linjë ekzistuese.
Sa i takon projektit të dytë, në dokumente saktësohet se ai është hartuar për dy linja: njëra për rikonstruksionin e një segmenti të rrjetit ekzistues të fiderit F15 dhe tjetra për ndërtimin e fiderit të ri F3, 20 kV, nga N/Stacioni 110/20/6 kV Shkodra 2.
“Linjat kabllore do të realizohen me kabëll alumini me izolacion 20 kV, tip XLPE, me seksion 1×240 mm² (flat). Fideri 3 do të ketë 14 kabina elektrike, nga këto 6 do të jenë kabina Box të reja, 4 kabina Box ekzistuese dhe 4 kabina muraturë ekzistuese. Gjatësia e këtij fideri është 11,600 ml, ku përkatësisht 8,340 ml do të jetë linjë e re dhe 3,260 ml linjë ekzistuese. Fideri 15 është fider ekzistues, por do të rikonstruktohet nga N/Stacioni Shkodra 2 deri në kabinën Zhuga 2. Gjatësia e linjës së re është 1,400 metra”, thuhet në projektin e zbatimit.
Gjatë këtij viti, OSSH ka qenë aktive me investime në rrjet, me një fokus specifik në zonat turistike./monitor