Pas nënshkrimit të kontratës kanë nisur punimet për ndërtimin e Muzeut të Lundrimit në hyrje të Shkodrës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama e konsideroi muzeun “një investim që do t’i japë qytetit një hapësirë unike kushtuar trashëgimisë dhe historisë së tij, e lidhur ngushtë me lundrimin në liqen dhe lumenjtë që e rrethojnë”. Ndërtimi i tij është pjesë e projektit për përmirësimin e peizazhit dhe infrastrukturës lidhëse për Parkun Ligatinor në hyrje të Liqenit të Shkodrës, me qëllim rritjen e ofertës turistike të zonave natyrore në qarkun verior.

Nënshkrimi i kontratës me vlerë 731 mijë euro u njoftua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në muajin mars të këtij viti. Punimet po kryhen nga kompania SMO UNION, teksa tenderi u hap të qershor të vitit të kaluar dhe autoritet kontraktor është Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Sipas BERZH, zona ku do shtrihet projekti është shumë pak e populluar, teksa pjesa natyrore zë përqindjen më të madhe. Parku Ligatinor do ofrojë funksione rekreative për qytetarët si zona për ecje dhe pushim me pamje nga ligatinat dhe objektet sportive. Po ashtu, sipas bankës, ky park ka rëndësi të madhe strategjike për Shkodrën sepse është një projekt pionier i përshtatur nga pikëpamja klimatike, që do të rregullojë përmbytjet në atë zonë.

Ndërhyrjet që do të kryhen janë pjesë e projektit për Infrastrukturën dhe Turizmin në Shqipëri, që financohet nga Bashkimi Evropian në një shumë totale prej 40 milionë euro, si dhe nga kredia sovrane plotësuese e dhënë nga BERZH për qeverinë e Shqipërisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu