Mbi 1800 emigrantë shqiptarë, por jo vetëm, kanë shpallur interesin për paketën e maleve, një iniciativë e qeverisë që synon të nxisë investimet dhe të rigjallërojë jetën ekonomike në zonat malore të vendit. Pas kësaj faze, në shtator fokusi do të jetë te përzgjedhja dhe te përcaktimi i zonave ku do të hapet rruga për investime.

“Kjo është faza e shprehjes së interesit dhe është një mekanizëm që i jep bashkive të kuptojnë në zonën time sa persona kanë aplikuar, ku është shprehur interesi. Hapi i parë i procesit është që bashkitë duhet të vendosin zonat ku do të aplikohet paketa e maleve. Bashkia e Shkodrës p.sh. duhet të përcaktojë cilën zonë do të shpallë për zhvillim malor. Bashkia sjell një kërkesë në qeveri, qeveria miraton duke dhënë status të posaçëm për zonën e caktuar ku më pas aplikohen rregullat e paketës së maleve. Këto hapa do të nisin në shtator, pasi edhe bashkitë të kenë kuptuar ku është më i lartë interesi.”, tha Ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku.

Përveç zonave të tjera malore në vend që do të transformohen përmes paketës së maleve, a do të ketë një projekt të ri zhvillimor edhe për Thethin pas shembjes së disa godinave pa leje?

“Thethi është park kombëtar, do të qëndrojë park kombëtar dhe do të ketë atë koncept zhvillimor brenda konceptit të parkut kombëtar. Është një element që ka tashmë një koncept zhvillimor, ka tashmë bujtina, shtëpi të vjetra shekullore. Synimi jonë nuk është të bëjmë më shumë Theth, por si të bëjmë më shumë Thethe në Shqipëri. Nuk synojmë të bëjmë më shumë gjëra në Theth, por si këtë model ta shpërndajmë edhe në territore të tjera të Shqipërisë.”

Sipas ligjit, përfitues të paketës së maleve do të jenë 500 aplikuesit e parë, të cilët do të përfitojnë përjashtime nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, ajo e pasurive të paluajtshme, TVSH dhe tatimi mbi të ardhurat për 10 vjet./v+

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu