Prokuroria e Pukës ka kërkuar 8 vite burg për Davide Pecorellin, italianin i cili në Janar të vitit 2021 inskenoi vdekjen e tij në Shqipëri.
Kjo kërkesë e autoriteteve shqiptare për të ka marrë vëmendjen e mediave italiane të cilat e konsiderojnë të ashpër kërkesën për sipërmarrësin, pavarësisht se ky i fundit kishte zgjedhur gjykimin e shkurtuar. Ai akuzohet për mashtrim, dhunim të varreve, veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, shkatërrim prone me zjarr dhe kalim të jashtëligjshëm të kufirit.
Siç shkruan ‘Il Messaggero’, Prokuroria e Pukës ka kërkuar ekstradimin e Pecorelli-t, e cila është pranuar nga Zyra e Përgjithshme e Prokurorisë në Perugia. Por vendimi përfundimtar do të merret më 28 Maj në Gjykatën e Apelit.
Mediat shkruajnë se ka pasur disa shtyrje në gjykim pasi avokati shqiptar i Pecorelli-t ka komunikuar në Itali mbi mundësinë e një pranimi fajësie çka do i shmangte burgun sipërmarrësit.
Megjithatë këto orë janë orë ankthi dhe shqetësimi për të ardhmen e Pecorelli-t. Në fund të muajit, pritet që të mbahet seanca ku do të thotë fjalën e saj mbrojtja e italianit. Sipas mediave nuk përjashtohet mundësia që avokati i tij të mbështet nga një jurist italian i konsullatës në Shqipëri.
Siç shkruan “Il Mesaggero”, historia e Pecorelli-t është tragjikomike. Ai u vu në pranga në vitin 2022 pasi kishte simuluar vdekjen e tij. Kur u mor në pyetje tha se gjithçka kishte nisur si pasojë e problemeve me paratë.






