Në malësinë e Dukagjinit, prej nga ku kanë prejardhjen, nga kjo e mërkurë 7 martirët e Kishës Katolike Shqiptare kanë memorialin e tyre. Ceremonia e inaugurimit të tij pranë kishës së fshatit Breg Lumi në Shalë u bë në praninë e klerikëve, banorëve të zonës dhe autoriteteve vendore. Ajo u parapri nga kremtimi i një meshe në kishën e fshatit në të cilën kreu i konferencës ipeshkvnore shqiptare, imzot Angelo Massafra u ndal tek mesazhi i faljes dhe rëndësia që mbartin figurat e martirëve për kombin tonë.
Organizatorët e këtij aktiviteti dhe familjarë të martirëve, evidentuan arsyet që shtynë banorët e kësaj treve për ndërtimin e këtij memoriali.
Duke u ndalur tek rëndësia e veprës së martirëve dhe përpjekjet që ato bënë për atdheun në vite të vështira, kryebashkiaku Benet Beci premtoi më shumë vëmendje për Dukagjinin, një zonë e braktisur ndër vite.
Memoriali në nderim të At Çiprian Nika, At Benardin Palaj, At Gjon Shllaku, At Gasper Suma, Dom Dede Plani, Dom Lazer Shantoja dhe Gjelosh Lulashi, u ngrit me kontributin e emigrantëve në SHBA. Në mbyllje të ceremonisë u vendos edhe një bekim i dorëzuar nga Papa Françesku.