Ilir Proda u prezantua si drejtuesi i ri i Policisë së Shtetit nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha. Ai u betua se do të mbajë  me nder flamurin e policisë së shtetit dhe do ta garantojë zbatimin rigoroz të ligjit.

Fjala e ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, në takimin prezantues të Drejtorit të ri të Policisë së Shtetit: 

Të nderuar drejtues të Policisë së Shtetit,

Sot hapim një kapitull tjetër në rrugën dhe përpjekjet e organizatës së Policisë së Shtetit për t’u rritur dhe zhvilluar si profesionalisht, edhe në mendësinë institucionale.

Përzgjedhja dhe emërimi i kreut të ri të Policisë, z. Ilir Proda, një oficer karriere që ka kaluar gjithë shkallët e hierarkisë në këtë strukturë, besojmë të sjellë një ritëm e dinamikë tjetër në të gjitha strukturat policore, duke nisur nga ato drejtuese.

Me këtë rast, dua të shpreh bindjen time se, në fund të këtij procesi reformues të strukturave drejtuese, janë plotësuar kushtet për realizimin e synimit tonë madhor, krijimin e Policisë së Shtetit 2030, si një strukturë e denjë, e krahasueshme me ato të vendeve evropiane.

E vetmja vështirësi e Drejtorit të ri, edhe kjo në aspektin pozitiv, mbetet standardi në të cilin është ngritur performanca e Policisë së Shtetit, e cila duhet të vijojë rritjen dhe konsolidimin.

Ambicia jonë nuk është rezultat i një dëshire të brendshme, as e një ndjesie të çastit, por vjen si pasojë e një analize të thelluar të potencialeve që ne kemi tashmë në radhët e policisë dhe mundësive për t’u ngritur në një nivel tjetër më të dallueshëm.

Nga sot, prej Policisë së Shtetit ne presim, së pari, qëndrueshmërinë e rezultateve të arritura, por sidomos rritjen sa më të shpejtë të cilësisë së shërbimit në të gjitha departamentet dhe sektorët.

Procesi i reformave në gjirin e organizatës do të zhvillohet duke marrë në konsideratë ecurinë dhe rezultatet e çdokujt, në të gjitha nivelet, me qëllim që ky proces të jetë sa më dobiprurës dhe me efekt në radhë të parë për të ardhmen e vetë organizatës.

Ne duam të arrijmë ato objektiva, që i konsiderojmë brenda rrezes së mundësive tona. E përsëris se unë besoj që, nuk ka asnjë objektiv, të pamundshëm, sado ambicioz në pamje të parë.

Emërimi i z. Proda në këtë detyrë është hapi i parë, që do të pasohet nga një sërë ndryshimesh në qendër e Drejtoritë Vendore, që do të plotësojnë kuadrin e reformave që kemi nisur.

Përfitoj nga rasti t’i kumtoj çdo oficeri të Policisë së Shtetit, se në procesin e përzgjedhjes së drejtuesve, nuk do të ndikojë asnjë faktor tjetër, përpos meritës dhe integritetit. E theksoj edhe njëherë: Promovimi në karrierë duhet të shihet vetëm brenda këtyre dy shtyllave, Meritokracisë dhe Integritetit profesional.

Të nderuar punonjës të Policisë,

Duam ta formatojmë sa më shpejt Policinë e Shtetit 2030, sidomos nën dritën dhe faktin, që Shqipëria po hyn në fazën e negocimit për anëtarësimin në BE.

Ambicia jonë për të pasur një polici të standardeve evropiane është në të njëjtën linjë me zhvillimet e vendit dhe aspiratave tona të përbashkëta për të ardhmen.

Jemi realisht në një fazë me zhvillime të rëndësishme historike për të ardhmen, prandaj angazhimi dhe kontributet e dhëna ndër vite nga paraardhësit tuaj do të marrin pa diskutim vlerësimet e duhura.

Dua të falënderoj sinqerisht secilin nga drejtuesit e Policisë së Shtetit, deri më sot, për kontributet e dhëna në mbrojtje të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve, duke i garantuar se përkushtimi i tyre ndaj uniformës ka bërë të mundur të arrijmë nivelet e sotme të profesionalizmit, çka përbën një bazament të sigurt për të thelluar më tej këtë trend transformues të organizatës.

Kemi nisur sot procesin e dorëzimit të stafetës në duart e një gjenerate të re drejtuesish, të cilët kanë fatin ta nisin punën nga një stad tjetër në krahasim me paraardhësit e tyre.

Kjo gjeneratë drejtuesish i ka të gjitha kushtet për ta ngritur Policinë e Shtetit në rangun e trupave më të mira të Bashkimit Evropian.

Të nisim punë pa humbur kohë, nga sot. Faleminderit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu