“Motra Tone”, kryevepra e piktorit Kolë Idromeno përbën një nga portretet më të njohura të artit shqiptar. Së fundmi për figurën e motrës së vetme të piktorit shkodran, e njohur ndryshe edhe si “Monalisa e Shqipërisë”, po përgatitet një dokumentar nga regjisori Vranin Gecaj nga Kosova. Ai ka zgjedhur pikërisht Motrën Tone si boshtin tematik të projektit të tij të fundit. E në këtë rrugëtim, një moment i vecantë raporton newspower.al ishte edhe dhurimi që i bënë muzeut historik të Shkodrës, pasardhësit e kësaj familje, që sot jetojnë në Kroaci. Një bust i Idromenos dhe disa veshje që i shpëtuan luftës së Kosovës, e që i përkasin motres Tone, tashmë do të jenë në fondin e muzeut historik të kryeqëndrës së veriut, ku lindën Idromeno dhe motra Tone.
Regjisori Gecaj thekson se projekti ka për qëllim të hedhë dritë mbi rrënjët familjare dhe shpirtërore të këtij portreti, duke zbuluar anë të panjohura për publikun e gjerë. Xhirimet janë realizuar si në Kosovë ashtu edhe në Shkodër, në vendet ku historia dhe kujtesa vizuale e Motrës Tone mbartin ende jehonën e kohës.
Dokumentari pritet të shfaqet së shpejti në festivale arti. Në kohën kur u realizua portreti, as motra Tone, as vetë Idromeno nuk e dinin se po krijohej piktura e parë realiste në Shqipëri, dhe se në atë vepër do të shënohej fillimi i një faze të re, në të gjithë artin shqiptar. Portreti u punua në 2 shkurt 1883 kur Idromeno ishte vetëm 23 vjec.