Screenshot

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar këtë të hënë, më 3 nëntor, një videomesazh për përdorimin e Inteligjencës Artificiale (IA) në fushën e mjekësisë, duke theksuar rolin ndihmës të saj por dhe rreziqet e mundshme kur përdoret si mjet diagnostikimi ose trajtimi i sëmundjeve.

Në ditët e sotme, Inteligjenca Artificiale po ndryshon mënyrën si informohemi për shëndetin,” thuhet në njoftimin zyrtar. “Por kujdes: IA nuk zëvendëson mjekun, por është një mjet që ndihmon në informim, jo për diagnozë apo trajtim. Përdorni gjithmonë burime të sigurta, verifikoni informacionet dhe konsultohuni me profesionistët e shëndetit.”

Në videomesazh shfaqen edhe disa mjekë të cilët bëjnë thirrje për përdorim të kujdesshëm të IA-së. Njëri prej tyre shprehet: “Kohët e fundit ka një rritje të përdorimit të IA-së për qëllime mjekësore. Megjithatë duhet të kemi parasysh që përdorimi i saj nga ana e pacientëve, për këshilla, për diagnozë, apo edhe për zgjidhje të problemeve mjekësore, duhet shoqëruar me këshillat lidhur me risqet që ajo ka. Këshilla e parë do të ishte të përdorin IA-në, por kini kujdes, mos ngelni vetëm tek ai informacion që morët. Është e nevojshme gjithmonë mbështetja, këshilla nga një mjek.”

Një tjetër mjeke thekson “IA nuk mund të zëvendësojë kurrë doktorin. Është doktori i cili trajton pacientin, trajton individin në mënyrë specifike, nuk mund të diagnostikojë një infarkt akut miokardi që është një urgjencë madhore dhe mund të keqdiagnostikohet si një pneumoni, e zëmë.”

Ndërkohë një mjeke pediatre ka një thirrje të rëndësishme për prindërit: “Prindërit nuk duhet të mjaftohen me rekomandimet që jep internet apo ChatGPT-ja, por duhet t’i drejtohen pediatrit. Mos merrni barna dhe terapi nëpërmjet internetit.”

Mjekët bëjnë thirrje që Inteligjenca Artificiale të përdoret si mjet ndihmës për informim, por duke respektuar gjithmonë udhëzimet dhe këshillat e profesionistëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu