Babai i 19-vjeçarit shqiptar që humbi jetën në një aksident në Greqi ka folur për ngjarjen e rëndë ku i përfshirë ishte edhe këngëtari Yiannis Xanthopoulos.
“Nuk ka gjë më të padrejtë se një njeri i ndershëm të ikë, të shkojë pesë orë në punë dhe të largohet ashtu. Thjesht ka shkuar në punë si gjithmonë”, tha i shokuar, babai i të riut.
“Kam mësuar qe fajin e ka këngëtari, ishte me shpejtësi. Djali për dy muaj do të mbushte 20 vjeç”, shtoi ai.
Babai i 19-vjeçarit bëri të qartë se do të marrë masa ligjore ndaj këngëtarit.
“Sigurisht që do të ndërmarrim veprime ligjore. A nuk vrau një njeri? Dhe për qentë lëvizin ligjërisht. Ne duam që ai të marrin dënimin që meriton”, u shpreh ai.
Aksidenti ndodhi në rrugën “Dekelias” në Menidi, ku fuoristrada e këngëtarit Janis Ksanthopoulos, ka devijuar majtas rrugës dhe është përplasur ‘kokë më kokë’ me një automjet tjetër.
Pas përplasjes, mjeti i dytë në të cilin ndodheshin dy 20-vjeçarë është përplasur me një shtyllë të energjisë elektrike, ku ka mbetur i vdekur njëri prej tyre, pikërisht Antonio Daja nga Hajmeli i Vaut të Dejës.