Në prag të ndeshjes Shqipëri–Serbi, protagonisti i sfidës historike në Beograd, Bekim Balaj, ndau emocionet dhe përjetimet e asaj mbrëmjeje të paharrueshme. Ai theksoi se përballja e radhës ka një tjetër peshë dhe rëndësi, ndërsa u bëri thirrje lojtarëve të tregohen të përmbajtur dhe të fokusuar për të arritur objektivin madhor: kualifikimin në Botëror.

“Ajo (sfida në Beograd) është një ndeshje që mbetet në memorien e të gjithëve. Për rrethanat që ishin në atë takim, të gjithë bënë maksimumin dhe nuk na mungoi asgjë për të mbrojtur simbolet tona. Në ndeshjen e radhës kemi shanse për kualifikimin madhor në Botëror dhe Serbia është rivali ynë direkt. Kjo është një ëndërr për të gjithë shqiptarët dhe ky grup futbollistësh ka forcën për ta bërë realitet këtë. Për ndeshjen në Tiranë djemtë duhet të jenë gjakftohtë, të ruajnë qetësinë dhe mos ndikohen nga atmosfera në shkallët e stadiumit, pasi ngarkesa emocionale është e madhe për një ndeshje të tillë. Një fitore do na vlente shumë”, tha Balaj.

Sulmuesi i njohur ishte pjesë e një takimi motivues me të rinjtë në Shkodër, në kuadër të edicionit “Ta tham n’Shkodër”, ku përcolli një mesazh inkurajues dhe frymëzues për brezin e ri. Takime si ky me Bekim Balajn tregojnë se rrugët drejt suksesit mund te nisin nga qytete si Shkodra dhe nga ëndrrat e thjeshta të të rinjve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu