Në Pallatin e Kongreseve kanë nisur sot homazhet në nderim të ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano.

Në ceremoninë shtetërore të nderimit për Fatos Nanon, po zhvillojnë homazhe dhe vendosin kurora me lule qytetarë dhe personalitete nga fusha të ndryshme, ndërkohë që në vijim, nga ora 11:15-11:45, do të zhvillohen homazhet e personaliteteve shtetërore dhe të trupit diplomatik.

Një nga figurat e para të Partisë Socialiste që zhvilloi homazhe në nderim të liderit historik të PS-së ishte kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla. Pas tij, në homazhe morën pjesë dhe ish-kryeparlamentari Gramoz Ruçi, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi,  Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ministra të kabinetit qeveritar si dhe deputetë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe personalitete me kontribute ne këtë forcë politike.

Në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano, në Pallatin e Kongreseve zhvilluan po ashtu homazhe edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

Të pranishëm në homazhe ishin edhe deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, si dhe politikanë nga opozita, si Agron Duka, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, apo Fatmir Mediu i Partisë Republikane, po ashtu dhe ish kreu i PD, Lulzim Basha. Në homazhe morën pjesë dhe drejtues të pushtetit lokal. Po ashtu i pranishëm ishte dhe kryekomisioneri i KQZ, Ilirian Celibashi.

Po ashtu në homazhe mori pjesë dhe ish-presidenti Alfred Moisiu.

Ndërkohë përfaqësues të komuniteteve fetare në vend, akademikë, artistë, gazetarë e përfaqësues të fushave të ndryshme ishin të pranishëm në hollin e Pallatit të Kongreseve dhe kaluan me radhë për të kryer nderimet e fundit në kujtim të ish-kryeministrit Fatos Nano.

Në një prononcim për mediet pas homazheve, deputeti socialist Erion Braçe vlerësoi rolin e Fatos Nanos në reformimin e Partisë Socialiste. Braçe tha se Nano nuk i mohoi askujt mundësinë për t’u rritur, zhvilluar dhe bërë karrierë brenda PS-së.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi u shpreh për mediet e Fatos Nano do të kujtohet si një figurë politike kyçe e tranzicionit shqiptar, i cili pati meritën e transformimit të Partisë së Punës, në një parti socialdemokrate europiane.

Homazhet publike kanë nisur që prej orës 8:30, ndërsa në përfundim të ceremonisë në orën 12:05, trupi i pajetë i Nanos do të niset drejt banesës së fundit, në Sharrë.

Në respekt për kontributin e Fatos Nanos në jetën publike dhe politike të vendit, 2 nëntori është shpallur edhe ditë zie kombëtare.

Të gjithë flamujt në institucionet shtetërore janë ulur në gjysmë shtizë, ndërsa në orën 12:00 do të ndalojë çdo aktivitet për të mbajtur një minutë heshtje.

Fatos Nano ndërroi jetë në 31 tetor, në moshën 73-vjeçare, në një prej spitaleve private të kryeqytetit, ku po kurohej prej 24 ditësh.

Pesë herë Kryeministër i Shqipërisë, Fatos Nano do të mbahet mend si një lider historik i së majtës shqiptare, vizionar për Shqipërinë dhe një nga figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare gjatë periudhës së tranzicionit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu