Në Lezhë është kujtuar 557-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Homazhe u mbajtën në vendvarrimin e heroit kombëtar. Ato nisën me gjamën e burrave.
Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të pushtetit lokal dhe ato të klerit katolik.
“Pas vdekjes së tij, Shqipëria dhe shqiptarët humbën një lider të madh, por fryma e tij jeton dhe sot. Skënderbeu është më shumë se një person, ai është një ide, një besim i patundur në liri dhe dinjitetin e kombit shqiptar”, tha Eueda Molla.
“Unë mendoj se Gjergj Kastrioti e deri tek Nënë Tereza e te martirët tonë na e kanë pasuruar jetën tonë dhe janë një udhëheqje, një guidë“, tha Sokol Pepushaj.
Ndërkohë historianët e vunë theksin tek figura e heroit tonë kombëtar.
“Vdekja e Gjergj Kastriot Skënderbeut i tronditi thellë Arbërit dhe pati ndikim të jashtëzakonshëm në jetën politike të Arbërisë sepse përveç Lekës së tretë të Dukagjinit, se falë tij e kemi të dokumentume gjamën e burrave për herë të parë nga Marin Barleti, pra ditën kur Gjergj Kastiot Skënderbeu ka ndërruar jetë. Asnjë përfaqësues tjetër i fisnikërisë vendase nuk mundi ti bënte ballë furisë Sulltan Mehmetit 2 Fatih”, u shpreh Paulin Zefi.
Aktivitete u zhvilluan më pas edhe në Pallatin e Kulturës ku u kënduan arje të ndryshme.