Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka vijuar takimet prezantuese me drejtuesit dhe efektivët e DVP-ve në qarqe, ku së fundmi takoi drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe shefat e komisariateve dhe sektorëve në varësi të këtyre drejtorive.
Gjatë këtyre takimeve, Drejtori i Përgjithshëm prezantoi objektivat kryesore të punës, duke kërkuar masa të menjëhershme për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe për identifikimin dhe kapjen e financuesve, organizatorëve dhe trafikantëve të lëndëve narkotike.
Ai theksoi se është e papranueshme që Shkodra dhe Lezha të vijojnë çdo vit me të njëjtën situatë, duke gjetur dhe shkatërruar bimët e kultivuara, dhe kërkoi studim të plotë të situatës, analizë të çdo informacioni dhe të rasteve të mëparshme, me qëllim parandalimin dhe ndëshkimin e organizatorëve të kësaj veprimtarie kriminale.
Në fokus të detyrave të lëna ishin gjithashtu goditja e armëmbajtjes pa leje, rritja e kontrolleve dhe sigurimi i informacionit për kapjen e personave të armatosur në ambiente publike apo me automjete, kapja e personave në kërkim, parandalimi dhe zbardhja e ngjarjeve kriminale, ndërtimet pa leje, lojërat e fatit dhe call center-at, si dhe reagimi i menjëhershëm dhe profesional ndaj çdo shqetësimi të qytetarëve, me shërbim etik dhe profesional.
U theksua gjithashtu siguria në shkolla, siguria rrugore dhe siguria e pronës.
Drejtori paralajmëroi se nuk do të tolerohet asnjë shkelje e ligjit, duke theksuar se, ashtu siç u veprua me Komisariatin e Policisë Peqin, do të veprohet me këdo që abuzon me detyrën apo bëhet palë me paligjshmërinë.
Policia Kufitare duhet të jetë model në shërbim, të menaxhojë flukset për të shmangur radhët dhe të garantojë një pritje dinjitoze për qytetarët dhe turistët, si dhe të forcojë masat për parandalimin dhe goditjen e trafikut të paligjshëm ndërkufitar.
Gjatë takimeve, Drejtori i Përgjithshëm theksoi se, duke filluar nga dita e hënë, do të nisë një operacion për lirimin e akseve rrugore, duke kërkuar angazhim maksimal të strukturave të Policisë për mbështetjen e ARRSH-së dhe ndëshkimin administrativ dhe penal të shkelësve që kanë zaptuar hapësirat publike.






