“JETA E RE” E ARKIVIT FOTOGRAFIK MË TË VJETËR NË BOTË

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” mirëpret Fondacionin “Alinari” për prezantimin e Arkivit Alinari, njërit prej koleksioneve fotografike më të mëdhenj e më të vjetër në botë, i përbërë prej më shumë se 5,000,000 artefaktesh që datojnë nga viti 1841 e deri në ditët tona, pjesë e qindra fondeve, arkivave dhe koleksioneve me rëndësi për historinë e fotografisë botërore, jo vetëm asaj italiane. Që nga viti 2019 kjo trashëgimi e çmuar që e ka origjinën e saj në Firence, në vitin 1852, pranë Repartit Fotografik të Vëllezërve Alinari, është një e mirë publike, e blerë nga Rajoni i Toskanës i cili e administron, e ruan dhe e promovon përmes Fondacionit Alinari për Fotografinë.

Tre vite mbas themelimit të tij, presidenti dhe drejtoresha e këtij fondacioni të ri do të na njohin me “Jetën e Re” të këtij arkivi antik: projektet e realizuara, ata në vazhdim dhe projekte e ardhshme për t’ju hapur publikut përmes kërkimeve, restaurimeve, katalogime, digjitalizimeve, ekspozitave dhe iniciativave publike të realizuara falë bashkëpunimeve me realitete të tjera si ai i Muzeut Marubi, shumë i afërt me Alinarin për nga historia, materialet dhe aktiviteti.

Në fund të prezantimit, mes drejtuesve të Muzeut Marubi e Fondacionit Alinari, do të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi.

A e njihni Arkivin Alinari me të cilin Muzeu Marubi do të nënshkruajë një marrëveshje bashkëpunimi❓

📑Historia e koleksionit fotografik Alinari filloi në Firence në 1852 kur Leopoldo Alinari ngriti laboratorin e tij të parë fotografik në Firence. Së bashku me vëllezërit e tij Giuseppe e Romualdo themeluan firmën “Vëllezërit Alinari”.

Në 1863 Leopoldo ndërtoi atë që ishte fabrika e parë fotografike në botë, në Via Nazionale, më vonë e njohur si Largo Alinari; kjo ndërtesë ka qenë selia e firmës për mbi 150 vite, e prej aty e ka origjinën edhe ky koleksioni i madh fotografik. Në vitin 1885 Vëllezërit Alinari hapin një shtëpi botuese dhe në fillim të shekullit XX, vendosin partneritete të rëndësishme me firmat Brogi në Firence dhe Anderson në Romë.

Pas krizës së shkaktuar nga Lufta e Madhe, në vitin 1920 kompania kaloi në duart e një grupi aristokratësh toskanë të udhëhequr nga Baron Ricasoli. Në vitin 1957, ajo u ble nga senatori Vittorio Cini. Falë largpamësisë së tij, u bënë pjesë e koleksionit arkiva të vlefshme fotografike si zotërimet Brogi, Anderson, Chauffourier dhe Fiorentini, duke pasuruar edhe më shumë vlerën e koleksioneve fotografike të vetë kompanisë.

Në mesin e viteve 1970, firma kaloi në duart e familjes Zevi nga Milano dhe në vitin 1977 u mbajt një ekspozitë e madhe në Forte Belvedere në Firence, e cila rezultoi një sukses i jashtëzakonshëm. Në vitin 1982 prona i kaloi familjes De Polo nga Trieste, e cila, përveç krijimit të Museo Nazionale Alinari della Fotografia (Muzeu Kombëtar i Fotografisë Alinari), përuroi një strategji të re: blerjen e koleksioneve fotografike në Itali dhe jashtë saj dhe që nga fundi i viteve 1990, angazhimin në digjitalizimin dhe shitjen e tyre, ashtu siç bëhej nga Getty dhe Corbis në Shtetet e Bashkuara. 

De Polo-t krijuan një rrjet tregtar për shitjen e imazheve digjitale të tyre dhe të arkivave të tjera në të gjithë botën dhe promovuan ekspozita për t’i shpërndarë ato.

Në qershor 2018, Mbikqyrja Arkivore dhe Bibliografike e Toskanës i shpalli pronat e Alinarëve me interes të dukshëm historik në bazë të Ligjit të Trashëgimisë Kulturore. Më pas Rajoni miratoi ligjin rajonal nr. 65, datë 13 nëntor 2019, me të cilin njeh vlerën e jashtëzakonshme kulturore të pronave Alinari dhe vendosi t’i blejë ato.

Në dhjetor 2019, MIBACT hoqi dorë nga e drejta e parablerjes dhe trashëgimia Alinari, me më shumë se pesë milionë artefakte (kryesisht fotografi), u ble nga Rajoni i Toskanës, i cili aktivizoi procedurat dhe veprimet për të siguruar ruajtjen dhe promovimin e duhur të saj.

Për të shfrytëzuar sa më mirë pronat Alinari duke garantuar ruajtjen dhe promovimin e saj, në shkurt 2020 Rajoni i Toskanës ngriti një komitet teknik dhe shkencor që përfshin profesionistë shumë të kualifikuar në këtë sektor për të monitoruar dhe përditësuar një dokument-kuadër të titulluar “Plani Strategjik për Zhvillimin Kulturor të Pronave Alinari.”

Ky aktivitet u mbështet nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë

© Arkivi Alinari, Vëllezërit Alinari, Studioja e Pozimit e Repartit Fotografik të Vëllezërve Alinari nga Firence, në të majtë operatori Gaetano Puccini.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu