Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka komentuar për herë të parë kontratën e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA. Në një konferencë për mediat, Celibashi pohoi se PD nuk ka detyrim ligjor që të depozitojë në KQZ kontratën para zgjedhjeve, por deri në 60 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
I pyetur për detaje mbi hetimin e krimeve zgjedhore, Celibashi preferoi t’u qëndronte deklaratave të mëhershme, por theksoi se në ditët në vijim mund të ketë informacione më konkrete dhe të detajuara. Megjithatë, ai vuri në dukje se ka një vëmendje të shtuar në lidhje me problematikën e krimeve zgjedhore, gjë që ai e cilësoi si pozitive. “Në ditët në vijim mund të ketë informacione më konkrete dhe të detajuara por ka vëmendje të shtuar në lidhje me këtë problematikë”, tha ai.
“Partitë politike kanë detyrim që të depozitojnë në KQZ të ardhurat dhe shpenzimet jo më vonë se data 31 mars e vitit pasardhës. Kurse koalicionet jo më vonë se 60 dit nga shpallja e rezultatit zgjedhor. Kjo përfshin edhe Aleancën për Shqipërinë Madhështore, përfundon jo më vonë se 60 ditë nga shpallja e rezultatit. Nuk ka detyrim në këto momente që t’i dorëzojë të ardhurat dhe shpenzimet si subjekt zgjedhor dhe që do të thotë se nuk e kemi këtë kontratë dhe nuk ka as detyrim, sikurse thuhet se ‘pse nuk është kërkuar kjo kontratë nga ne’. Por në momentin që do e kemi, do japim shpjegimin tonë për këtë kontratë”, tha Celibashi mes të tjerash.