Myftinia Shkodër, 10 nëntor 2025
16 nëntor 1990 – Dita e madhe e rizgjimit të pakthyeshëm!
Muaji nëntor i vitit 1990, është i ngarkuar me ngjarje të shënuara, detajet e së cilave do të regjistrohen me shkronja të arta në Murin e Nderit të kombit shqiptar!
Nga Kisha e Rrmajit dhe Xhamia e Plumbit, dorë për dore, muslimanë e të krishterë, ishin aty për të dëshmuar Dritën e shpirtrave të lirë e besimtarë, që po vërshonin më bindshëm se kurrë drejt dyerve të besimit e të fesë, duke respektuar, ndihmuar e mbështetur pa asnjë paragjykim e rezervë njëri-tjetrin!
“Lavdi t’Madhit Zot!”, ishte thirrja madhështore e dhjetëra mijëra besimtarëve e qytetarëve shkodranë, në përcjellje të Mesazhit të paharruar të Kryemyftiut të sprovuar në burgjet e komunizmit, Hirësisë së Tij, H. H. Sabri Koçi!
Dhe, vitet kaluan, të mbushura me përpjekje e sakrifica të mëdha në rrugën e ripërtëritjes dhe ringritjes së Ndërtesës së pathyeshme të trashëgimisë shekullore të besimit, fetarizmit të shëndoshë, harmonisë e paqes sociale në këtë vend.
Me qindra prijës fetarë, imamllarë, hatibë, muezinë, vaizë e myderrizë, u angazhuan me durim e sakrificë, në kushte të vështira e pengesa të panumërta, në këtë rrugëtim të paqtë të kësaj Qëndrese plot vetëmohim, në rrugën e rizgjimit të pakthyeshëm e të pathyeshëm të vetëdijes kombëtare!
Ata, vazhdojnë në këtë rrugëtim, larg zhurmës e prozhektorëve, në zemër të qytetit e në çdo fshat të afërt e të largët, duke bërë më të mirën e mundshme, plot dashuri e sakrificë!
Dhe, ja ku jemi sot, kur edhe pak ditë na ndajnë nga ajo ngjarje e gdhendur në memorie, që shndrit si diell vezullues, duke na ndriçuar rrugën drejt asaj që vjen, për të qëndruar të pathyeshëm kundër taborrave të Iblisit dhe cytjeve të tij gjenetike!
Teksa Hz. Ibrahimi i madh, po shkonte drejt finalizimit të aktit sublim të përgjigjes së vendosur e besimtare, shoqëruar nga i biri besimtar e thellësisht i bindur në urtësinë e Krijuesit dhe madhështinë e urdhrit të Tij, rrugën ia preu shejtani i mallkuar, që me lajka e shpirtin tinzar, po përpiqej ta thyente të përkushtuarin Ibrahim… Dhe, Miku i Allahut, e gjuajti me gurë shejtanin cytës, ashtu siç gjuajmë me gurët e indinjatës, dhe dënimit të patolerueshëm, këdo, të dukshëm e të padukshëm, me pushtet verbues e nën çatinë e pushtetit pa ekuilibër, që përpiqet me cinizëm e meskinitet të na e prishë këtë atmosferë të shumëpritur me shpirt qelibar të këtij jubileu të 35-të të përkujtimit të dyndjes së madhe popullore kundër diktaturës, putnave të saj e krejt të verbuarve mediokër me pushtetin e dhunës, terrorit e shtypjes!
Në këtë atmosferë të shtrenjtë e të paprekshme, Myftinia Shkodër dënon çdo akt dhune, shkeljeje flagrante dhe denigrimi të pronës private dhe simbolikave tona të shenjta, me të cilat u përballua (paradoksalisht!?) mbrëmjen e së dielës, më 9/11/2025, në 9 nëntorin e shembjes së Murit të Berlinit, xhamia e vakëfi jonë i shenjtë në Fushë Çelë!?
Myftinia Shkodër garanton besimtarët se dosjen e plotë të kësaj ngjarjeje të paprecedent do ta dërgojë pranë organeve kompetente, në mënyrë që personazhet e errësirës dhe hijet e mbetura të së shkuarës dhe dhunimit të vendeve të shenjta, të ngelen në sirtarët e historisë! Sikurse refuzon kategorikisht gjuhën e papërkthyeshme dhe të papranueshme të cilitdo, që i ka hipur dallgës përsëmbrapshti!
Myftinia Shkodër falënderon të gjithë drejtuesit e komuniteteve fetare, deputetët, mediat dhe shoqërinë civile për sensibilizimin dhe mesazhet e urta të mbështetjes dhe solidarizmit, të ardhura në adresën tonë!
Lutemi që në këtë 35 vjetor të përkujtimit të madh të Burrave të urtë e prijësve vizionarë të fesë e të kombit, secili të reflektojë në vetvete, për t’u përmirësuar në marrëdhënie me Zotin, natyrën e tjetrin, kushdo qoftë ai, sepse më i dashuri i krijesave të Allahut, për Zotin e gjithësisë, është “më i dobishmi i tyre për ta!”, siç na mëson feja e jonë!
Myftinia Shkodër






