Arkeologu dhe studiuesi i njohur, Helidon Sokoli, është emëruar drejtor i ri i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër–Lezhë. Vendimi është marrë nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Sokoli është një nga emrat e njohur në fushën e arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Ai ka udhëhequr ekspedita arkeologjike ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit, duke dhënë një kontribut të çmuar në dokumentimin dhe ruajtjen e pasurisë kulturore kombëtare. Ndër zbulimet më të rëndësishme, veçohen ato në vendbanimet historike të Bushatit dhe Komanit. Këto kërkime, në bashkëpunim me ekspertë të huaj, kanë sjellë të dhëna të reja dhe të vlefshme për historinë dhe kulturën e rajonit verior të Shqipërisë.
Prej disa vitesh, Sokoli ka qenë përgjegjës i Parkut Arkeologjik Shkodër–Lezhë, ku ka treguar përkushtim dhe vizion në promovimin e trashëgimisë kulturore. Me këtë emërim të ri, ai përballet me një sfidë të re institucionale, duke sjellë me vete një përvojë të pasur akademike dhe profesionale.