Komisioni i Ligjeve shqyrtoi sot marrëveshjen që i hap rrugën ndërtimit të hekurudhës që lidh Vorën me Hanin e Hotit.

Kontrata financiare ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve për linjën hekurudhore Vorë- Hani i Hotit – Porta Globale u prezantua në komision nga Enkelejda Muçaj, zv.ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në fjalën e mbajtur para anëtarëve të komisionit, Muçaj theksoi se kostoja totale e këtij projekti është 373 milionë euro, një pjesë e së cilës do të mbulohet edhe nga buxheti i shtetit, pjesa tjetër nga BERZH, BE përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe Banka Evropiane e Investimeve.

“133 milionë euro janë grant. Kjo ka qenë në fokus të punës sonë, që të kemi një mbështetje që vjen në formën e granteve me një kosto thuajse zero. Në buxhetin e shtetit për këtë projekt janë parashikuar edhe 3 milionë euro për shpronësimet”, tha Muçaj.

Zv/ministrja theksoi se ky projekt do të përfundojë brenda vitit 2030.

“Projektligji i sotëm parashikon një mbështetje financiare prej 100 milionë eurosh që i shtohet huasë prej 98.5 milionë euro me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, tha Muçaj.

Sipas saj, “financimi do të përdoret për rehabilitimin e një prej linjave hekurudhore shumë të rëndësishme që i përket një prej korridoreve kryesore që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe më pas me Lubjanën, Beogradin dhe Zagrebin”.

“Projekti krijon një mundësi konektiviteti ndërmjet infrastrukturave shumë të rëndësishme në vend siç është porti i Durrësit dhe ndërlidhjes pastaj me Korridorin 8. Bëhet fjalë për 120 km distancë me një intensitet prej 2.3 milionë udhëtarësh në vit dhe 9 mijë tonë në vit mallra”, shtoi zv/ministrja.

Muçaj theksoi se këto janë kredi të buta që vijnë me një interes që përcaktohet në momentin e akordimit të kredisë, ndërsa 5 vitet e para janë pa pagesë principali.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu