Të paktën pesë kompani kanë kaluar fazën e parë të tenderit që lidhet me mbikëqyrjen e punimeve dhe të gjitha kontratave të furnizimit dhe instalimeve elektro-mekanike (E&M).
Në faqen e prokurimeve të BERZH u renditën edhe emrat e kompanive të cilat do të vijojnë tani me fazën e dytë.
Tenderi është pjesë e projektit rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit dhe konkretisht për procedurën “Konsulencë për mbikëqyrjen e punimeve dhe të gjitha kontratave të furnizimit dhe instalimeve elektro-mekanike (E&M)”.
Aplikimet u dorëzuan në 10 qershor teksa njoftimi për emrat e kompanive u bënë në datë 28 korrik 2025.
Lista e kompanive që kanë kaluar fazën e parë të përzgjedhjes, ndër të cilat janë disa konsorciume ndërkombëtare si:
ALTINOK – DMEC – IPSA Joint Venture Turkey
DB E&C – Typsa – Abkons Germany
Hill International N.V. – TUMAS Turkısh Engıneerıng Consultıng & Contractıng Co. – PLANET S.A. – SYSTEMA Consulting S.A. Netherlands (the)
JV SUEZ Consulting (SAFEGE) and Eptisa Servicios de Ingenieria S.L., France
SYSTRA – ARDANUY
Projekti Vorë-Hani i Hotit
Kosto totale e projektit është rreth 356 milionë euro, teksa do të jetë bashkëfinancim nga një sërë institucionesh financiare ndërkombëtare.
Kështu 98.7 milionë euro janë hua nga BERZH dhe 100 milionë euro të tjera nga Banka Europiane e Investimeve.
Kësaj i shtohen edhe 133 milionë euro grant investimi nga Bashkimi Europian por edhe fonde te buxhetit. Projekti synon rehabilitimin dhe ndërtimin e 120 kilometrave linjë hekurudhore.
Projekti është pjesë e zgjatimit të Rrjetit Kryesor të Transportit Trans-Europian TEN-T në Ballkanin Perëndimor, i cili do të lidhë Shqipërinë me rrjetet hekurudhore rajonale dhe europiane përmes Korridorit X pan-Europian.
Hekurudha Vorë-Hani Hotit kalon në shtatë bashki dhe përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga Jugu në Veri. Hekurudha lidh qendrat urbane të Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut.
Ajo kalon kufirin shtetëror Shqipëri/Mal i Zi në Hanin e Hotit (km 140). Sipas ndarjes administrative, hekurudha përshkon territoret e shtatë bashkive (Vorë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Vau Dejës, Shkodër dhe Malësi e Madhe)./Monitor