Finalizimi i projektit për linjën hekurudhore Shkodër – Gjakovë kërkon një periudhë 10 – vjeçare. Vlerësimet, që janë pjesë e prezantimit të studimit të fizibilitetit të bërë nga konsulenti pak ditë më parë pranë institucioneve shtetërore, tregojnë se janë 5 faza deri në vënien në operim të linjës që do të lidhë me hekurudhë Shqipërinë me Kosovën.
Viti i parë përfshin zhvillimin e projektimit paraprak, ndërsa në vitin e dytë do të duhet të zhvillohen tenderët ndërkombëtare dhe lidhja e kontratës me kompaninë që do të ndërtojë hekurudhën. Përgjatë 2 viteve të para duhet të përfundojë edhe zhvillimi i dizajnit të detajuar apo shpronësime të mundshme në gjurmën ku do të kalojë hekurudha. Kohëzgjatja e ndërtimit është 7 vjet, ndërsa në vitin e fundit duhet të kryhet testimi dhe vënia në punë.
Sipas detajeve të studimit të fizibilitetit të zbardhura nga TV SCAN, linja hekurudhore nga Shkodra në Gjakovë do të ketë 7 stacione, në një gjatësi prej 105.8 km. Ky segment do të përmbajë 43 ura dhe 14 tunele, teksa gjatësia totale e tuneleve është 35.3 km. Sipas prezantimit kostot për këtë segment përllogariten në 1.8 mld euro. Rreth 1.7 mld janë kosto që nevojiten për ndërtimin, ndërsa pjesa tjetër përllogariten si kosto për leje, shpronësime, etj.
Në prezantimin e bërë para institucioneve shtetërore nga konsulentët Abcons dhe ILF Consulting Engineers thuhet se “rezultatet dhe gjetjet e Studimit të Fizibilitetit dhe Projektimit Konceptual të Hekurudhës Durrës – Prishtinë provojnë fizibilitetin teknik dhe qëndrueshmërinë ekonomike të projektit”, duke i rekomanduar institucioneve që të kalojnë në fazën tjetër.
Vlerësimi mori në konsideratë segmentin që nis nga Shkodra dhe përfundon në Gjakovë, duke qenë se gjurma nga Durrësi deri në Shkodër do të jetë e njëjtë me linjën hekurudhore Vorë – Hani i Hotit, për të cilën po zhvillohen procedurat tenderuese për ndërtimin e saj.