Është çelur ditën e sotme, 18 dhjetor, gara ndërkombëtare për hekurudhën Vorë-Han i Hotit.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se qeveria shqiptare mund të financojë tashmë disa linja hekurudhore të brendshme.
Balluku shtoi se do të kryhen investime në modernizimin e sistemit hekurudhor. Hekurudha do të jetë e gjatë 120 km me shpejtësi 120 km/h me 12 stacione, 12 ura dhe një tunel 320 metra në zonën e Lezhës. Totali i investimit është 370 mln euro, të foruara 50% në formë granti nga BE dhe 50% nga bankat.
Balluku: Gur më i rëndësishëm kilometrik pasi bëhet për një pjesë tjetër të rëndësishme të hekurudhës shqiptare. Duke marrë shkas nga dje, ditë e rëndësishme për Shqipërinë dhe Malin e Zi për çeljen e grupkapitujve të tjerë, kjo hekurudhë ka domethënie të madhe. Sot çelim garën ndërkombëtare për hekurudhën Vorë-Han I Hotit, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, me të cilin ndajmë histori, tradita të përbashkëta dhe aspiratën për në BE. E bën Shqipërinë pjesë të korridoreve evropiane. Një gur tjetër themeli vendoset në hekurudhën shqiptare pas progresit që tashmë kemi prej muajsh në hekurudhën Tiranë-Durrës, me segmentin e ri në Rinas.
Kemi gati studimin e fizibilitetit për Durrës-Prishtinë. Deri tani, kemi kërkuar bashkëpunimin për projekte hekurudhore, por qeveria shqiptare mund të ketë financimin e disa prej këtyre linjave. Dy projekte të tjera, aeroporti i Vlorës, që synon të jetë një nga më të mëdhenjtë në rajon, duhet të jetë i lidhur me sistem hekurudhor, po punojmë për fizibilitetin e linjës së dytë, që lidh Vlorën me Rrogozhinën. Nga këto projekte, angazhimi i qeverisë shqiptare është serioz për ta modernizuar sistemin hekurudhor.
I pranishëm në ceremoninë e hapjes së garës ndërkombëtare për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë -Hani i Hotit ishte edhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Sipas ambasadorit, është një hap jetik për bashkëpunimin e Shqipërisë me vendet e tjera të BE
Gonzato: Një projekt nga i cili përfiton Shqipëria në grandin më të madh në të ardhmen. Ky projekt ka një vlerë historike. Shqipëria bëri një avancim me hapjen e grupkapitujve të gjashtë, edhe Mali i Zi po bën një hap të rëndësishëm. Prandaj këto duhen që të dy vendet të ecin paralelisht. Lidhja e shqiptarëve me vendet e rajonit është shumë e rëndësishme, prandaj do të bëjmë lidhjen nëpërmjet urës.
Në mënyrë që popujt e rajonit të lidhen me njëri tjetrin ne duhet të bëjmë përpjekje. Prandaj kjo lidhje hekurudhore e Shqipërisë me vendet e tjera të Europës është një hap jetik për bashkëpunimin mes popujve. Natyrisht që kjo do të jetë pjesë dhe e jetës së Shqipërisë, pasi linjat hekurudhore do të shërbejnë dhe për transportin e mallrave. Ndërkohë që Shqiperise ecën përpara drejt BE, ne ofrojmë mbështetjen tone.