Ambientet e Galerisë së Arteve në Shkodër u mbushën me ngjyra, emocion dhe kreativitet, teksa u çel ekspozita studentore “EXPO 25”. Ky aktivitet, i cili konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit akademik, u organizua nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Fakulteti i Shkencave të Edukimit, në bashkëpunim me Galerinë e Arteve. Ekspozita prezanton punët më të fundit të studentëve të Departamentit të Arteve, në drejtimet e Pikturës dhe Grafikës, duke sjellë një gamë të gjerë mediumesh, nga vizatimi klasik, te teknikat grafike, fotografia dhe multimedia.
Kuratori i ekspozitës, pedagogu Sidi Kanani, theksoi seriozitetin dhe zhvillimin artistik që kanë treguar studentët në përgatitjen e veprave, duke e cilësuar këtë ekspozitë si një dëshmi të qartë të progresit dhe pasionit të tyre.
Vepra të veçanta që trajtojnë tematika bashkëkohore, identitetin, sfidat shoqërore dhe të përditshmen, u prezantuan me emocion nga vetë autorët, shumë prej të cilëve tashmë ndjekin studime të mëtejshme ose janë të angazhuar në jetën kulturore.
“EXPO 25” nuk është thjesht një ekspozitë, është një reflektim i energjisë rinore, një platformë e lirë shprehjeje dhe një ftesë për dialog përmes artit.