Shqipëria është një hap më pranë BE, duke hapur sot edhe negociatat për grupkapitullin IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”. Konferenca e gjatë ndërqeveritare u mbajt në Brusksel dhe u bashkëdrejtua nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre, ndërsa e pranishme ishte edhe komisionerja për zgjerimin, Marta Kos.

Me mbajtjen e konferencës së gjatë ndërqeveritare, vendi ynë nis zyrtarisht negociatat për 4  kapituj: Politika e transportit, Energjia, Rrjetet trans-evropiane, Mjedisi si dhe ndryshimet klimatike.

Kos vlerësoi ritmin e Shqipërisë në rrugën drejt BE, duke thënë se nëse vendi ynë ecën me këtë shpejtësi, hap të gjithë kapitujt brenda këtij viti. Teksa i tregoi kryeministrit murin e zgjerimit, ku shënuan edhe hapjen e katër kapitujve, Kos tha se përkushtimi i qeverisë shqiptare është mbresëlënës.

E mbështes fort planin tuaj për të mbyllur negociatat, që do të thotë se do të jenë të gjitha me ngjyrë të gjelbër deri në vitin 2027, dhe pastaj, sigurisht, do t’ju kemi në BE sa më shpejt të jetë e mundur.  Për mua është thellësisht mbresëlënës përkushtimi, juaji personalisht sepse kjo lidhet me drejtimin dhe ekipit që po ecën mirë. Urime, privilegj për mua të punoj me ju.”, u shpreh Kos.

Kryeministri, teksa shprehur falenderime për mbështetjen, nuk kurseu batutat.

“Dua të falendderoj që na rri gjithmonë mbi kokë për t’u siguruar që të mos shpërqendrohemi dhe që të mos mendojmë në përmasë më të madhe për veten nga çduhet.”, tha Rama.

Këta katër kapituj i shtohen 24 të tjerëve të hapur brenda më pak se një viti, ritëm që kryeministri Rama e ka cilësuar si “rekord absolut” në historinë e negociatave. Deri tani, Shqipëria ka çelur 4 nga 6 grupkapituj kryesorë: Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm dhe Konkurrueshmërinë me Rritjen Gjithëpërfshirëse.

Konferenca e ardhshme ndërqeveritare, e planifikuar më 2 tetor, do të përqendrohet tek grupkapitulli i fundit “Bujqësia dhe Kohezioni”.  BE është shprehur optimist se Shqipëria mund të realizojë integrimin e plotë deri në vitin 2030, ndërsa kryeministri Rama e ka shpallur anëtarësimin në union prioritet të mandatit të tij të katërt qeverisës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu