Në vend ka nisur qarkullimi i gripit. Instituti i Shëndetit Publik ka izoluar rastet e para. Bashkë me të në qarkullim sipas epidemiologëve është dhe Covid dhe virozat stinore. Infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes kanë një tendencë në rritje. Vetëm në një javë rreth 12 mijë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

“Qarkullon gripi i tipit A. I njëjti tip që qarkullon në të gjithë kontinentin europian. Janë vetëm rastet e para dhe s’ka të dhëna të mjaftueshme për ashpërsinë. Deri tani raste të lehta, shtrimet në spital qoftë pediatrike dhe te rritur janë minimale.

Bashkë me qarkullimin e gripit ka dhe qarkullim të Covid. Në lidhje me infeksionet respiratore të sipërme dhe të poshtme ka filluar një trend normal dhe i pritshëm në rritje, janë 12 mijë raste me infeksione”, pohoi ai.

Tendenca në rritje e infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes parashikohet të vijojë deri në fund të muajit janar dhe fillim të shkurtit kur pritet të arrijë kulmin. Kohë kur epidemiologët parashikojnë dhe pikun e gripit.

“Nga eksperienca shumëvjeçare në vendin tonë piku i qarkullimit të gripit arrihet nga fillimi i muajit janar dhe fillimi i muajit shkurt.

Ajo që është e rëndësishme dhe dallim nga COVID është temperatura e larte deri ne 38 grade e me lartë edhe 40, dhimbje e theksuar muskulare, rrufë, skuqje e lotim sysh, kollë e fortë, dobësi e theksuar”, tha ai.

Viruset në qarkullim aktualisht kanë prekur të gjitha moshat, por sipas specialistëve më të përhapura janë tek më të vegjlit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu