Grida Duma lë mandatin e deputetes së PD-së.
Në një deklaratë për median nga kryesia e Kuvendit Duma ndau atë që e quajti “moment të vështirë” të dorëzimit formalisht dhe zyrtarisht të shkresës së lënies së mandatit të deputetes.
Ky është vendim i duhur. Në politikë fatet individuale vlejnë të konsiderohen dhe rimendohen vetëm kur shkojnë në një kahje me fatet e njerëzve që përfaqësojmë. Kurrë e kundërta, megjithëse është bërë shpesh” tha Grida Duma.
“Sepse fati i njerëzve që përfaqësoj është misioni i vetëm të cilit i përgjigjen nuk mund të zgjidhja më të thjeshtën. Më e thjeshta do të ishte të kisha qëndruar të prisja mos ndodhin dështime si disa e parashikojnë. Apo ata që po presin skutave të përgjojnë për shansin e tyre të humbur tu ndrijë prapë pazareve. Mund të qëndroja thjesht për të mbijetuar. Mund të bëja sikur nuk e shoh thellësinë e problemeve të brendshme dhe luftën e jashtme. Për shumë vite në politikën e vijës së parë, nuk i jam larguar përgjegjësisë dhe as betejës, madje kam qenë e para.
E vërteta është se nuk i jam larguar politikës as kur politika më ka prekur të paprekshmit. Më ka goditur personalisht, mjerisht e mizorisht. Më kanë goditur sepse për kaq e kaq vite nuk gjetën dot një aferë korrupsioni, një pazar pushteti, apo ndyerje duarsh në përfitime.
Jam sulmuar nga hienat me intriga të pacipa. E kam ditur që për vete do ta paguaja këtë kosto por shpesh e kam menduar. Sot do ju them se ka një gjë që nuk do ia fal kurrë politikës së llumit që do të jetë pengu deri ditën e fundit të jetës time. Goditja që më bëhej mua nën brez godiste pa ndërprerë më shumë e më thellë shpirtërisht tim bir. Nuk do ia fal kurrë këtë politikës së llumit.









