Vllaznia dhe Dinamo përballen të mërkurën në orën 19.00 në stadiumin “Loro Boriçi”, ndeshje e vlefshme për gjysmëfinalen e parë për Kupën e Shqipërisë. Pa bomberin Bekim Balaj të dëmtuar, tek Vllaznia janë të qartë për objektivat dhe kërkojnë finalen.
Thomas Brdaric: E nisëm mirë ndeshjen me Teutën, por do të jetë e vështirë ta nisim pa një sulmues nesër kundër Dinamos. Sot kemi një stërvitje, nuk është se kemi patur shumë kohë, do të rregullojmë disa defekte dhe shpresojmë që shumica e lojtarëve të jenë të gatshëm për nesër. Ata kanë strategjinë e tyre, s’duhet të interpretojmë, jemi rivali kryesor, objektivi është t’i mundim dhe të jemi pozitivë, kemi bërë një sezon të mirë dhe nëse jemi të gjithë të gatshëm jemi shumë të fortë. Nuk ka lidhje ndeshja në shtëpi apo jashtë, duhet të fokusohemi 100%, lojtarët duhet të tregojnë aftësinë e tyre, të kemi një balancë, të jemi efikasë në sulm dhe të mbrojmë portën.
Lufta në dy fronte nuk është e lehtë por Vllaznia do të provojë deri në fund.
Thomas Brdaric: Më mirë për një lojtar dhe trajner është ndeshja, nuk duhet të mendojmë që janë shumë ndeshje. Është privilegj të kemi ndeshje si në Kupë dhe kampionat. Ti qëndrojmë objektivave që të shkojmë në finale, të jemi pozitivë para dhe pas ndeshjeve. Besoj që njëherë do të jetë koha jonë, të gjithë besojnë, e dimë si funksionon futbolli, në disa raste është e vështirë, aty është fokusi nesër. S’kam thënë që unë kam ëndërr, por tifozët kanë ëndërr dhe do të punojmë së bashku për këtë”.