Gjykata Kushtetuese merr vendimin për mandatin e Xhaçkës: Pushon gjykimin e çështjes

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka vendosur pushimin e çështjes për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka.

Ishte opozita ajo që kishte depozituar kërkesë në Kushtetuese për mandatin e Xhaçkës si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pasi kuvendi refuzoi ngritjen e komisionit hetimor parlamentar.

Kushtuesja bën me dije se kjo çështje duhet të pushohet dhe se për të duhet të shprehet më parë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

Vendimi i Kushtetueses:

1. Për kërkimin e parë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me shfuqizimin e vendimeve nr. 83/2022, datë 17.11.2022 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”, gjykimi duhet të pushohet, pasi me vendimin e mëparshëm të saj, nr. 1, datë 23.01.2023, Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e këtyre vendimeve.

2. Për kërkimin e dytë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, gjykimi i çështjes duhet të pushohet, pasi për këtë kërkim do të duhet të shprehet më parë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës, si dhe në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI: Pushimin e gjykimit të çështjes.

Kujtojmë se për mandatin e Xhaçkës opozita kërkoi papajtueshmëri me kushtetutën, pasi burri i saj përfitoi statusin si investitor strategjik në jug të vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu