Katër punonjës të OSHEE-së në Malësinë e Madhe janë liruar nga paraburgimi pas vendimit të Gjykatës së Shkodrës, e cila ndryshoi masën e sigurisë ndaj tyre në “detyrim paraqitje”. Ata u arrestuan disa ditë më parë, të dyshuar si bashkëpunëtorë në lidhjen e energjisë elektrike për tre ambiente që shërbenin si “shtëpi bari” në zonën e Hotit. Sipas burimeve, një nga të ndaluarit, drejtuesi lokal i OSHEE-së, Gëzim Hoxha, është liruar menjëherë me urdhër të prokurorisë, vetëm pak orë pas arrestimit. Ndërkohë, tre punonjësit e tjerë, Lodovik Vulaj, Xhuljano Çeraj dhe Adil Selmanaj, dolën para Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila vendosi masë më të butë sigurie ndaj tyre. Prokuroria kishte kërkuar “arrest në shtëpi”, por gjykata nuk e pranoi këtë kërkesë, duke vendosur “detyrim paraqitje” dhe duke mundësuar lirimin e menjëhershëm të punonjësve të OSHEE-së.
Katër të arrestuarit ishin ndaluar gjatë operacionit të koduar “Neonët”, që çoi në zbulimin e tri ambienteve të përshtatura për kultivimin e kanabisit me ndihmën e llambave dhe pajisjeve elektrike. Në të njëjtin operacion, u arrestuan edhe Lazër dhe Sandër Pepaj, ndërsa Kristjan Pepaj u shpall në kërkim. Këta të fundit dyshohen si organizatorë të kultivimit të bimëve narkotike.
Gjykata e Shkodrës vendosi që dy Pepajt të vijojnë të qëndrojnë në paraburgim me masën e sigurisë “arrest me burg”. Gjatë kontrollit në mjediset e përshtatura, policia sekuestroi 1110 bimë të dyshuara kanabis, rreth 1.8 kilogramë të kësaj lënde në formë boçe, si dhe një sasi të konsiderueshme pajisjesh elektrike që përdoreshin për kultivim: 300 llamba, 22 aspiratorë, 35 ventilatorë, 11 panele neoni, 22 filtra ajri dhe 217 inverterë. Sipas njoftimit të policisë, kontrollet janë pjesë e një plani të gjerë për goditjen e kultivimit të kanabisit në mjedise të mbyllura, të realizuara pas informacioneve operative që çuan në zbulimin e këtyre “shtëpive bari” në Malësinë e Madhe./ newspower.al






