Pas dënimit nga Gjykata e Apelit në Shkodër për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin, policia e Lezhës është vënë në lëvizje për prangosjen e personave të dënuar, mes të cilëve dhe ish-kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frrokaj.
Urdhri i ekzekutimit të vendimeve ka mbërritur në policinë e Lezhës që prej mesditës së sotme dhe ata kanë ushtruar kontrolle në banesat e personave të dënuar, por nuk janë gjetur në shtëpi.
Policia vijon kontollet për kapjen e tyre.
Gjykata e Apelit në Shkodër dha këtë të premte vendimet në lidhje me tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin, hetim i cili nisi që prej vitit 2017-të.
Ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj dhe ish-kryetari i Qarku Gjok Ndoka u dënuan me nga 3 vite burg, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë i kishte dënuar me nga 4 vite burg.
Trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Tonin Sterkaj i gjeti fajtor për vepren penale “Shpërdorim Detyre”.
Gjykata gjeti fajtor dhe 16 zyrtarë e qytetarë të përfshirë në tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin, por duke bërë disa ndryshime nga vendimi i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Për ish-nënkryetarin e Bashkisë Enver Hafizi dhe ish-juristin e bashkisë Ardenis Haxhia dënimi me burg u konvertua me shërbim prove, ndërsa ish-futbollisti Renata Malotaj i cili u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Lezhës u dënua nga Apeli me 1 vit shërbim prove.
Ndërsa për 13 personat e tjerë, Apeli la në fuqi vendimet e Gjykatës së Shkallës së parë Lezhë e cila i kishte dënuar nga 1 deri në 3 vite burg.
Gjithashtu gjykata ka vendosur që të gjitha dokumentet shkresore të cilat sipas aktekspertimeve kanë rezultuar të falsifikuar, të asgjesohen, ndërsa dokumentet e tjera të sekuestruara si prova materiale do t’u kthehen institucioneve përkatëse.






