Procesi i vettingut ka përfunduar, por pasojat e tij vijojnë të rëndojnë mbi sistemin e drejtësisë në vend. Sot, gjyqësori përballet me mungesë të theksuar gjyqtarësh, prokurorësh dhe ndihmësish ligjorë, ndërsa ngarkesa e çështjeve ka arritur nivele alarmante. Vetëm në Gjykatën e Apelit, numri i dosjeve ka shkuar në rreth 46 mijë, duke e vendosur sistemin në një situatë që cilësohet si kolaps.
Sipas gjyqtares së Apelit, Edlira Petri, gjatë vitit 2025 gjykata funksionoi me mesatarisht 27 gjyqtarë nga 78 që parashikon organika. Kjo trupë e reduktuar arriti të shqyrtojë 11.114 çështje, duke e çuar mesataren në rreth 1700 çështje për gjyqtar – një tregues i qartë i mbingarkesës ekstreme.
Në këto kushte, rreziku më i madh mbetet humbja e besimit të qytetarëve tek drejtësia. Petri thekson se, ndonëse reforma në drejtësi ishte e domosdoshme, ajo nuk mjafton pa një funksionim të qëndrueshëm dhe reagim të shpejtë institucional për të normalizuar situatën.
Ekspertët dhe vetë gjyqtarët pranojnë se boshllëku i krijuar nuk u parashikua plotësisht gjatë hartimit të reformës. Një nga mekanizmat që synohej të ndihmonte ishte harta e re gjyqësore, por efektet e saj mbeten të kufizuara.
Edhe pse në fund të vitit 2025 Këshilli i Lartë Gjyqësor shtoi 14 gjyqtarë të rinj përmes delegimeve dhe emërimeve, plotësimi i organikës së Apelit duket ende i largët. Ndërkohë, gjyqtarët përballen me presion të madh dhe lodhje të vazhdueshme, që sipas Petrit ndikon edhe në cilësinë e vendimmarrjes.
Problematikat nuk ndalen vetëm tek burimet njerëzore. Infrastruktura e gjykatës mbetet shqetësim serioz. Ambientet janë të papërshtatshme, me mungesë hapësirash pune dhe vetëm 8 salla gjykimi që nuk përmbushin standardet e kërkuara për siguri dhe dinjitet profesional. Madje, vendime të formës së prerë merren në ambiente minimale, të mbingarkuara me dosje.
Në këtë situatë, barrën më të madhe e mbajnë qytetarët shqiptarë, të cilët përballen me vonesa të gjata dhe pasiguri në marrjen e drejtësisë. Edhe pse Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar një strategji në vitin 2023, rezultatet konkrete mbeten ende të pamjaftueshme./newspower.al






