Të mërkurën pasdreke në rrjetin e tij social, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja publikoi një video ku së bashku me kryetarin e bashkisë Shkodër Benet Beci kishin dalë për të inspektuar zonën muzeale të Gjuhadolit, nga ku panë me sytë e tyre shkatërrimin që ka ndodhur me këtë zonë identitare dhe historike të Shkodrës. Krah njeri tjetrit ato preken nga afër një realitet që është i trishtë dhe dëshmi e dështimit të institucioneve për të mbrojtur vlerat e trashëgimisë historike, kulturore e arkitekturore të trashëguara prej një prej emrave të mëdhenj të Shkodrës e Shqipërisë, Kolë Idromenos. Folën për një plan të mirëstrukturuar ndërhyrjesh në zonat dhe qendrat historike, ku synimi është jo vetëm ruajtja, por edhe rijetëzimi i objekteve me vlera të veçanta kulturore e arkitekturore. Sigurisht një hap për tu përshendetur, gjithmonë nëse do të realizohet dhe zona do të shpëtohet nga shkatërrimi, që deri më sot nuk ka qënë i pakët. Por në këtë mes nuk mund të mos evidentohet hipokrizia dhe fasada institcionale e kryetarit të bashkisë Benet Beci, i cili ka hyrë në vitin e fundit të mandatit dhe për Gjuhadolin nuk ka vendosur qoftë edhe një tullë të vetme, përkundrazi. Ai do të mbahet mend si kryebashkiaku që punoi për të avancuar ky shkatërrim me mos dhënien e asnjë leje rikonstruksioni, edhe pse me qindra janë kërkuar në këtë zonë, madje edhe të miratuara nga paraardhësit e ministrit Gonxhja. Por që Beci me një vendim të prerë i ka injoruar, duke u kapur pas justifikimeve të kota të PDV-ve, e skemave të tjera, ndërsa batërdia me abuzime të tjera nuk ka munguar edhe në fushën ndërtimore. Madje duke u punuar edhe pa leje përkatëse, edhe për investime publike. Gjuhadoli mbetet një prej lagjeve identitare të Shkodrës, pasqyra e parë e cdo turisti vendas e të huaj, pjese e dokumentimit të mediave prestigjoze ndërkombetare dhe një kryebashkiak me planet e tij ogurzeza dhe skemat e ulëta së bashku me një pjesë të administratës së tij, nuk mund t’ja fshijë vlerat që ka.






