Gjykata e Posaçme kalon për gjykim dosjen në ngarkim të Fran Frrokajt dhe 10 zyrtarëve të tjerë në Bashkinë e Lezhës për tjetërsim pronash në Lezhë
Po ashtu Gjykata ka pranuar kërkesat për gjykim të shkurtuar.
Ata akuzohen për “shpërdorim detyre”, “faslisfikim dokumentash” dhe “pastrim produktesh të veprës penale”.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi me 25 tetor 2022 se ka përfunduar hetimet lidhur me tjetërsimin e pronave në bregdetin e Lezhës dhe ka vendosur marrjen në cilësinë e të pandehurit të 11 ish zyrtarëve të lartë vendorë të qarkut Lezhë dhe nëpunës.
Mes të pandehurve janë Fran Frrokaj, ish kryetari i bashkisë së Lezhës; Gjok Ndoka ish Kryetari i Këshillit të Qarkut Lezhë, Sokol Toma ish Drejtori i Zyrës së Urbanistikës Bashkia Lezhë, një jurist, 2 regjistrues dhe 3 nëpunës të Zyrës Vendore si dhe një përfitues i tokave të tjetërsuara.
“Gjatë hetimit të këtij procedimi penal ka rezultuar se nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara dhe veprimeve të tjera të kundraligjshme, është përfituar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe prej 66 000 m2 tokë në disa zona bregdetare në Lezhë, me një vlerë prej rreth 13 milion euro. Këto prona kanë rezultuar se janë produkt i veprave penale të përshkruara më sipër.
Me vendimin nr.345 datë 28.07.2022 Gjykata së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestrimin e këtyre pronave” informon SPAK në njoftimin e sotëm për median ku njofton se ka paraqitur dosjen në Gjykatën e Shkallës së Parë per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Tokat e shtetit u bënë me pronarë
SPAK thotë se gjatë hetimit janë dokumentuar veprimet e kundraligjshme të ish zyrtarëve vendor të Qarkut Lezhë, për tjetërsimin e pronave në bregdet dhe përfitimin e tyre në kundërshtim me ligjin.
“Veprimtaria e kundraligjshme ka filluar me përcaktimin e parcelës, e cila është me pronësi shtet, gjetjen e personave të interesuar për t’u pajisur me tokë, falsifikimin e dokumenteve të pronësisë që nga origjina e pronës deri tek çertifikata e pronësisë” informoi SPAK.
Në këtë veprimtari kriminale, personat përfitues në mënyrë të kudnraligjshme të pronave kanë përfshirë edhe persona të tjerë, ndër ta persona të afërt dhe të njohur më ta, duke ja kaluar në mënyrë fiktive pasuritë dhe më pas me qëllim final për t’i kaluar në pronësinë e tyre.
NE GJYKATE
Në përfundim të hetimeve Prokuroria e Posaçme ka vendosur marrjen në cilësinë e të pandehurit dhe ka paraqitur në Gjykatën e Shkallës së Parë per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr.29/7 të vitit 2019, në ngarkim të:
1- Fran Frrokaj (me detyrë/në kohën e kryerjes së veprës penale, Kryetar i Bashkisë Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
2- Gjok Ndoka (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Kryetar i Këshillit të Qarkut Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
3- Sokol Toma (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Drejtor i Zyrës së Urbanistikës Bashkia Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
4- Bledar Cara (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, jurist pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtëshme, Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
5- Nikolin Shtjefni (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtëshme, Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
6- Sokol Vocaj (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtëshme, Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
7- Gjovalin Marku (me detyrë, në kohën e kryerjes së veprës penale, nënpunës në Bashkinë Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
8- Luigj Paloka (me detyrë “topograf” në kohën e kryerjes së veprës penale), i akuzuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal.
9- Adiona Martini (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, nënpunëse në Bashkinë Lezhë), e akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
10- Juxhina Mema (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, nënpunëse në Bashkinë Lezhë), e akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
11- Altin Mikaj (përfitues i pronave të tjetërsuara në mënyrë të paligjëshme), i akuzuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i parë, gërma “c” i Kodit Penal.
Arrestimi i Frrokajt ne mars 2018
Kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj u arrestua edhe në muajin mars të vitit 2018 me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” lidhur me tjetërsimin e pronave në bregdet, por gjykata atëherë vendosi që ai të hetohet në gjendje të lirë. Në mars 2021 gjykata e Apelit vendosi të kthejë për rigjykim dosjen për ish-kryetarin e Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj dhe të pandehurit e tjerë.