Mbetje të laboratorëve të Biologjisë dhe Kimisë, të depozituara prej vitesh në katin nëntokë të Universitetit të Shkodrës, janë larguar më në fund. Universiteti i Shkodrës ka njoftuar zyrtarisht se është përmbyllur procesi i largimit dhe trajtimit të mbetjeve kimike organike dhe inorganike, të cilat prej vitesh ishin depozituar në dhomat e katit perdhe në godinën e Fakultetit të Shkencave të Natyrës.
LAJM I RËNDËSISHËM PËR SIGURINË DHE MJEDISIN
Kemi kënaqësinë të njoftojmë se tashmë nuk ka më asnjë mbetje kimike (organike dhe inorganike) në katin përdhes të Godinës së FSHN-së. Të gjitha materialet e konsumit, të skaduara, jashtë përdorimit dhe të përdorura ndër vite nga laboratorët e Biologji–Kimisë, të cilat ishin grumbulluar prej vitesh dhe përbënin një rrezik real — një “Gërdec” të vërtetë që mund të shpërthente në çdo moment, janë larguar dhe trajtuar përfundimisht.
Falënderojmë Bashkinë Shkodër për mbështetjen dhe bashkëpunimin institucional, si dhe administratoren Vadohej për angazhimin dhe zgjidhjen finale të kësaj problematike të trashëguar prej vitesh. Kjo ndërhyrje garanton më shumë siguri, mbrojtje të mjedisit dhe kushte më të mira pune për studentët dhe stafin akademik.






