Ka përfunduar numërimi mbrapsht për familjen Zhang, e cila largohet pas gati tetë vitesh zikaltërit.
Pothuajse pas tetë vitesh dhe shtatë trofe të fituar, epoka e “Suning” përfundon për Interin. Huaja prej 275 milionë eurosh që kishin marrë te kompania “Oaktree” në vitin 2021 nuk u shlye brenda afatit zyrtar (që ishte sot në orën 17.00). Mediat italiane njoftojnë se afati zyrtar ka skaduar dhe për pasojë aksionet e klubit që sapo u shpall kampion i Italisë do t’i kalojnë kompanisë “Oaktree”.
Me transferimin e aksioneve të klubit që ishte lënë peng, mbyllet një cikël gati tetëvjeçar: nga 6 qershor 2016 deri më 21 maj 2024.
Për herë të parë në historinë e Interit, klubi do të ketë pronarë amerikanë, me fondin Oaktree që merr frenat e kampionëve ndërsa pret të kuptojë nëse dhe kur dikush do të dalë përfundimisht për të negociuar blerjen e tij në të ardhmen.
Me gjithë tentativat e shumta, presidenti në largim Zhang nuk ishte në gjendje të gjente një zgjidhje me fondin kalifornian për borxhin që kishte pa shlyer dhe do të duhet të largohet nga pozicioni i numrit një për “nerazzurrët”, megjithëse një betejë ligjore në të ardhmen midis palëve nuk mund të përjashtohet.
Gjatë drejtimit të familjes kineze, Interi fitoi dy tituj kampion, dy Kupa të Italisë dhe tre Superkupa të Italisë, duke shkuar në finale të Europa League në 2020 dhe të Champions League në 2023./tch