Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë mbyllur mitingje te fundit elektorale pas fjalimeve nga liderët respektivë, Edi Rama dhe Sali Berisha.
Me fundin e këtyre mitingjeve nga partitë e mëdha fushata e 11 majit ka ulur siparin e saj pas takimeve dhe daljeve të përditshme që nisën në 11 prill dhe që u shtrinë jo vetëm në të gjitha qytetet e vendit, por edhe në disa kryeqytete e qytete evropiane në kuadër të takimeve me diasporën shqiptare.
Rama dhe Berisha mbajtën fjalime të fuqishme para mijëra mbështetësve që u shfaqën për t’i mbështetur, socialistët në Parkun Olimpik të Tiranës dhe demokratët në Bulevardin e Ri të kryeqytetit.
Tashmë përballja mes partive politike do të zhvendoset në kutitë e votimit në datën 11 maj, ditën e diel, kur qytetarët shqiptarë do të shprehin vullnetin e tyre për të ardhmen qeverisëse të vendit për 4 vitet e ardhshme.
Sakaq, dita e nesërme do të pasohet nga heshtja zgjedhore 24-orëshe, ku qytetarët do të kenë mundësinë e reflektimit të fundit para momentit vendimtar.