Një furtunë masash disiplinore ka përfshirë radhët e Policisë së Shtetit, duke larguar nga detyra disa zyrtarë të lartë dhe duke ndezur debate të forta brenda uniformave blu.
Drejtoria e Standardeve Profesionale ka firmosur përjashtimin nga Policia të Taulant Gjokës, ish-zv.drejtor për Rendin në Lezhë, i cili më herët ishte transferuar në Shkodër. E njëjta masë e rëndë është marrë edhe ndaj Sadik Kateshit, ish-zv.drejtor në Elbasan.
Lista e largimeve nuk ndalet këtu. Nga radhët e policisë është përjashtuar edhe Mariglen Duçi, ish-shef komisariati në Malësi të Madhe dhe aktualisht drejtues në sektorin e hetimit të krimeve në Kukës. Të tre zyrtarët kanë ankimuar vendimet dhe pritet t’i drejtohen Gjykatës Administrative.
Por paralelisht me përjashtimet, janë ndërmarrë edhe masa të tjera ndëshkuese. Altin Mena, një nga emrat që garonte për drejtimin e Policisë së Shtetit, është penalizuar me ulje grade për pesë vite. Ndërsa një tjetër drejtues i lartë, Dorian Muça – i cili vite më parë i mbijetoi një atentati me tritol në banesë – raportohet se po përballet me presion për masa të ngjashme disiplinore.
Brenda strukturave flitet për një klimë tensioni dhe pasigurie, ku disa oficerë kanë zgjedhur të largohen me dorëheqje për të shmangur përballjen me masa të rënda administrative.
Deri në këto momente nuk ka një qëndrim zyrtar mbi arsyet konkrete të këtyre vendimeve, ndërsa pyetjet mbeten: A kemi të bëjmë me një reformim të fortë disiplinor, apo me një përplasje të ashpër në kupolën e policisë?
Situata pritet të ketë zhvillime të reja në ditët në vijim./publik.al



