Drejtuesja politike e PD për diasporën, Jozefina Topalli ishte pjesë e takimit elektoral të Sali Berishës në Selanik. Në fjalën e saj, ajo vlerësoi kontributin e emigrantëve, ndërsa tha se ata kanë një fuqi elektorale që më 11 maj mund të bëjnë ndryshimin epokal. Topalli bëri apel për të gjithë ata emigrantë të cilët nuk kanë mundur të regjistrohen dhe të votojnë nga vendi ku jetojnë dhe punojnë, që të vijnë në Shqipëri për të votuar më 11 maj.
“Shumica prej jush janë heronj të kohëve moderne. Unë sot këtu kam takuar nga shumë qytete të Shqipërisë dhe dua t’ju ftoj edhe njëherë. Shumica prej jush më thanë që ne jemi regjistruar dhe ne kemi votuar. Si motër, si vëllezërit, si fëmijët dhe nipat e mi, nëse nuk keni pasur mundësi për tu regjistruar apo votuar, ejani një ditë në Shqipëri, në qendrën tuaj të votimit. Bëni një sakrificë tjetër për Shqipërinë. Unë e di që më 11 maj ju do merrni rrugën dhe do vini. Asnjë dyshim nuk kam që fuqia e shqiptarëve që janë jashtë kufijve të vendit është një fuqi elektorale e jashtëzakonshme. E vetmja ndoshta që mund të bëjë ndryshimin epokal. Ne kemi nevoje jo vetëm për rotacion, por kemi nevojë për të rifilluar nga e para një shtet me ligj dhe rregulla. Tek ju unë shoh heronj të heshtur. Në 11 maj sakrifica është për kombin. Në 11 maj ju jeni ndryshimi dhe fuqia”. përfundoi Topalli