Spitali Rajonal i Shkodrës ka hartuar dhe vënë në zbatim një plan të posaçëm masash për përballimin e fluksit të shtuar të pacientëve gjatë festave të fundvitit.
Drejtori i spitalit, Senad Halluni, në një deklaratë për mediat, bëri me dije se janë marrë masa të detajuara organizative dhe strukturore, me qëllim garantimin e shërbimit shëndetësor në kushte optimale.
Sipas drejtorit Halluni, fluksi më i madh i pacientëve pritet në shërbimin e Urgjencës, i cili do të funksionojë 24 orë në 24, me staf dhe kapacitete të plota për të përballuar çdo situatë që mund të paraqitet.
Ky plan ka për synim sigurimin e një shërbimi shëndetësor të pandërprerë dhe cilësor për të gjithë qytetarët që do t’i drejtohen këtij institucioni gjatë ditëve festive.
Në përfundim, drejtuesit e spitalit u bëjnë thirrje qytetarëve që, në rastet urgjente, të paraqiten menjëherë në Urgjencë, ndërsa për problematika më të lehta shëndetësore të ndjekin këshillat e mjekëve të familjes, me qëllim shmangien e mbingarkesës së panevojshme të shërbimeve spitalore.






