Shqipëria po shkon drejt një ndryshimi të madh në mënyrën si qytetarët identifikohen.
Qeveria ka propozuar një projektligj të ri që synon kalimin nga kartat fizike të identitetit te identiteti digjital në pajisjet elektronike.
Ky projekt parashikon krijimin e një “portofoli digjital”, ku çdo qytetar mund të ruajë të dhënat e tij dhe t’i përdorë për shërbime të ndryshme online.
Me këtë sistem, do të jetë e mundur të firmosen dokumente, të bëhen aplikime dhe të verifikohen të dhëna pa pasur nevojë për dokumente fizike, me të njëjtën vlefshmëri ligjore.
Ndryshimi synon gjithashtu afrimin me standardet e Bashkimit Europian dhe njohjen e identitetit elektronik edhe jashtë vendit. Nga ana tjetër, ky transformim kërkon investime të konsiderueshme.
Sipas përllogaritjeve, ndërtimi dhe mirëmbajtja e sistemit për 10 vitet e ardhshme pritet të kushtojë rreth 703 milionë lekë, që përfshin teknologjinë, sigurinë dhe certifikimet e nevojshme. Procesi nuk është i thjeshtë dhe kërkon kapacitete të larta teknike.
Një nga çështjet kryesore mbetet edhe mbrojtja e të dhënave personale, që konsiderohet një element i ndjeshëm në këtë projekt.






