Fondi Shqiptar i Zhvillimit po bëhet gati që të nisë një projekt kombëtar investimi për rigjenerimin urban në 4 rajonet e vendit. Fokusi i ndërhyrjeve do të jenë fshatrat me popullsi të dendur si dhe zonat periferike dhe informale.
Për këtë qëllim janë shpallur dy tenderë, ku ajo për rajonet 1 dhe 2 të vendit ka si fond limit 439 milionë lekë ndërsa ai për rajonet 3 dhe 4 ka si fond limit 416 milionë lekë.
Referuar dokumenteve të tenderëve, qëllimi kryesor i projektit është rritja e cilësisë së jetës së komuniteteve që popullojnë në zonat urbane dhe lidhja e zonave turistike që kanë potencial për zhvillimin ekonomik dhe social.
Ndërhyrjet do të përmirësojnë qarkullimin e automjeteve, njerëzve dhe do të rrisë sigurinë e lëvizjes.
Projekti parashikon rikualifikimin e blloqeve urbane duke sistemuar rrugët, trotuaret, lulishtet, fasadat e pallateve apo godinave, ambientet e pushimit, hapësirat rekreative etj.
Projekti “Rigjenerimi urban në zonat periferike, informale dhe në fshatra me popullsi të dendur është parashikuar të financohet në kuadër të Programit Operacional 2022-2024 të FSHZH-së.