Për herë të parë për shitblerjen e ndërtesave/apartamenteve në vend do të aplikohen çmime fiskale edhe për fshatrat. Kryeson jugu i cili në vijën e parë të ndërtimit çmimi shkon në vlerën e 190 mijë lekë për metër katror. Ndërkohë për veriun e Shqipërisë është Velipoja që do të ketë çmimin më të lartë të referencës me 75 mijë lekë për metër katror dhe pas saj vjen fshati Tale i Lezhës me 70 mijë lekë për metër katror. Për zonat pas vijës bregdetare të Velipojës, çmimi i zonave rurale do të jetë 58 mijë për metër katror sa është aktualisht çmimi i referencës për qytetin e Shkodrës. Mbi çmimet e referencës bashkitë llogarisin detyrimin për taksën e ndërtesës dhe taksës së ndikimit në infrastrukturë. Nëse aktualisht për llogaritjen e bazës së taksueshme të këtyre taksave që është vlera e pronës përdoren çmimet e referencës, për zonat rurale në mungesë të tyre, përdorej çmimi i qytetit por i reduktuar 35%. Me ndryshimet e reja të propozuara, bashkitë nuk do të kenë më të drejtë të reduktojnë çmimet e referencës për zonat rurale, por do të detyrohen të zbatojnë çmimet e reja që qeveria propozon. Projektvendimi i ndryshuar pritet të miratohet në qeveri. Më përfshirjen e zonave rurale në hartën e çmimeve të referencës, numri i zonave kadastrale në të gjithë vendin arrin 176. Aktualisht rrethet janë të ndara në 65 zona kadastrale. Edhe këto çmime janë rishikuar me rritje deri në 196%. Grupi i punës që ka hartuar çmimet e referencës thotë se shumë zona rurale, kryesisht bregdetare do të ndahen në disa zona kadastrale. Qeveria ka rishikuar projektvendimin e publikuar të Konsultimet Publike dhe propozon ndarje në disa zona kadastrale, edhe për fshatrat. Konkretisht vija e parë e disa fshatrave në zonat bregdetare do të ketë çmim reference shumë herë më të lartë se zona në brendësi të fshatit. Ndërsa në tërësi të gjitha fshatrave (përjashtuar atyre në zona turistike) propozohen çmime fiskale të barabarta me çmimet aktuale që janë në fuqi për rrethet. Çmimet e reja fiskale të rishikuara në muajin korrik 2025 për rrethet pritej të hynin në fuqi nga 1 janari 2026. Me rishikimet që i janë bërë së fundmi çmimeve të referencës qeveria pritet të miratojë një ndarje të re të tyre, tashmë një hartë me 176 zona kadastrale, duke përfshirë me vetë për herë të parë edhe fshatrat. Sa i përket qarkut Shkodër, në Qendra Urbane: Zona nr.1 çmimi i referencës 70,000 lekë/m2, Zona nr.2 përfshin “Loro Boriçin” çmimi 65,000 lekë/m2 dhe Zona nr.3 përfshin rrugën “Tepe” çmimi 61,000 lekë/m2.






